PD: Durrës-Kukës ka mbështetjen e FMN-së
Partia Demokratike reagon ndaj deklaratës së përfaqësuesit të FMN-së, Gervin Bell, lidhur me rrugën Durrës-Kukës. Deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, e ka cilësuar deklaratën e përfaqësuesit të FMN-së se ka një qëllim sinkron me qëllimin që ka pasur FMN-ja me Komisionin e Ekonomisë dhe Financës. "Unë mendoj se ky është projekt i mirë dhe duhet mbështetur, pra është një projekt që duhet të vazhdoj", tha Biberaj. Sipas tij, është e natyrshme që përveç investitorëve shqiptarë ka edhe institucione të huaja që mbështesin këtë projekt. "Lidhur me koston kuptohet që këto janë projekte që kostoja e tyre dhe vlera 100% e saktë është e vështirë të nxirret, sepse janë punime në një terren të panjohur për ne. Gjithsesi, është një vlerësim pozitiv për vazhdimin e tij deri në fund", tha deputeti i PD-së. Biberaj tregon se ka qenë edhe një impenjim i Ministrisë së Transporteve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugës për të rishikuar pjesë të projektit me qëllim edhe uljen e vlerës, por elementi më i rëndësishëm është që ky projekt lidh tregun shqiptar me tregjet e tjera rajonale dhe natyrisht ka mbështetjen e FMN-së. I pyetur se cilat janë rezultatet e deritanishme për punën e komisionit, kryetari i komisionit për rrugën Durrës-Kukës është shprehur se këtij komisioni i nevojitet shtyrja për shkak të pushimit që merr Parlamenti për shkak të festave të fundvitit. "Siç e dini është një komision hetimor që po punon lidhur me këtë projekt. Pas kërkesave që ka bërë komisioni kanë ardhur materialet dhe kanë qenë voluminoze", tha ai. Sipas Biberajt, në komisionin përkatës kanë ardhur për të dëshmuar përfaqësues nga Kryeministria dhe nga ministritë e linjës. "Jemi në fazën e shqyrtimit të dokumentacionit, është edhe një listë mjaft e gjatë me dëshmitarë, kështu që do të vazhdojë komisioni me dëgjimin e dëshmitarëve. Do të kërkojmë shtesë prej një muaji në Parlament, pasi dihet që nga data 27 dhjetor, deri më 21 janar, Parlamenti është i mbyllur, kështu që kemi nevojë për një muaj shtesë për të përfunduar procedurat", tha ai. Ndërkohë, përfaqësuesi i FMN-së, një ditë më parë ka bërë me dije se kostoja për këtë projekt është e paqartë dhe nuk u morën parasysh oferta. Rruga Durrës-Kukës është shndërruar në konsumatorin më të madh të fondeve të buxhetit të shtetit. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Punëve Publike Transporteve dhe Telekomunikacioneve, për dy vitet e fundit, 2006 dhe 2007, kjo rrugë ka marrë nga buxheti i shtetit plot 214 milionë euro, ndërsa shuma që pritet të marrë gjatë vitit të ardhshëm është më e madhe edhe se dy vitet e mëparshme të marra së bashku. Për 2008-ën, financimet për rrugën nga buxheti do të jenë 274 milionë euro. Ajo pritet të përfundojë në qershor të vitit 2009, sipas kontratës së nënshkruar mes qeverisë dhe kompanive që po merren me ndërtimin e saj, amerikanes "Bechtel" dhe turkes "Enka". Në total e gjithë rruga do të kushtojë 620 milionë euro, prej të cilave 520 milionë janë për segmentin Kalimash-Rrëshen dhe 100 milionë eurot e tjera janë për segmentet Milot-Rrëshen dhe Kalimash-Morin.