Kosova nis hartimin e Kushtetutës së re
Autoritetet kosovare hapën dje një debat publik, lidhur me tekstin e një Kushtetute të re, e cila do të miratohet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kjo Kushtetutë do të jetë e pastër nga çdolloj ideologjie (...) bëhet fjalë për një Kushtetutë moderne të një shteti demokratik", deklaroi zëvendësministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, gjatë një takimi me qytetarët e Prishtinës, ku u promovua hapja e këtij debati publik. Kuçi theksoi se sipas Kushtetutës së re, Kosova do të jetë republikë parlamentare. Teksti i Kushtetutës së re përmbledh të gjitha rekomandimet që përmban plani i të dërguarit të OKB-së Marti Ahtisari, për statusin e Kosovës, për një pavarësi të mbikëqyrur nga OKB-ja. Plani Ahtisari, i cili iu paraqit Këshillit të Sigurimit të OKB-së në mars 2007, u mbështet nga amerikanët dhe evropianët. Rusia, e cila përkrah Serbinë, e kundërshtoi.
Kuçi, i cili drejton komisionin e kushtetutës, i ngritur pranë parlamentit të Kosovës, saktësoi se debati publik për kushtetutën do të zgjasë dy javë. "Sugjerimet dhe propozimet e qytetarëve do të përfshihen në tekstin e Kushtetutës, sepse qytetarët janë krijuesit dhe bashkëpronarët e Kushtetutës", tha ai.