Vdes çifti i moshuar nga gazi i mangallit
Pesë të moshuar kanë humbur jetën në mënyra të ndryshme në Korçë dhe në Elbasan. Një çift ka vdekur tragjikisht në dhomën e gjumit në juglindje të vendit, por këtë herë jo të helmuar me dëshirën e tyre, apo nga konsumimi i helmeve, por për shkak të ajrit të ngopur me elementë të dëmshëm kimikë, që kanë bllokuar thithjen e oksigjenit. Një çift të moshuarish kanë gjetur vdekjen në dhomën e gjumit, duke kërkuar pak ngrohtësi. Ndërsa kanë vendosur në dhomën e tyre një mangall me prush druri, kjo ka mjaftuar që dy bashkëshortët të ndërrojnë jetë gjatë natës, për shkak të qymyrit në ajër, kur ata kanë qenë në gjumë. Kjo ka bërë që nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes ata të asfiksohen. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Buçimas të Pogradecit në familjen Berberi, kur 76-vjeçarja Mynyre Berberi është gjetur e vdekur, ndërsa bashkëshorti i saj, Dynjamini, edhe pse është gjetur i gjallë, nuk ka mundur të mbijetojë. Sipas policisë, ai ka vdekur gjatë transportimit drejt spitalit të qytetit bregliqenor. Uniformat blu konfirmojnë se dy të moshuarit janë gjetur në dhomën e tyre nga fëmijët. Për këtë rast është ngritur dhe një grup hetimor, që ka konstatuar në vendin e ngjarjes prezencën e mangallit me prush, që dyshohej se është bërë shkak për vdekjen e çiftit. Sipas të dhënave, nga ana e policisë, 76-vjeçarja Mynyre Berberi dhe burri i saj 74-vjeçar, Dynjamini, vuanin nga diabeti, zemra dhe tensioni. Kjo ka bërë që ata të mos rezistojnë ndaj gazit të çliruar që ju ka bllokuar frymëmarrjen në dhomën e vogël e të mbyllur. Edhe autopsia ka përcaktuar si shkak asfiksimin e tyre, për shkak të mangallit me prush druri. Ky është rasti i dytë i një ngjarjeje të rëndë në juglindje të vendit. Por, më keq akoma, shifrat e të moshuarve të vdekur janë shtuar brenda 24 orëve. Sipas policisë, rezulton të kenë vdekur në një interval të shkurtër kohor katër të moshuar. Dje është gjetur edhe kufoma e një 77-vjeçari në rrugën e fshatit Petrushë, buzë rrugës nacionale që lidh Korçën me Pogradecin. Sipas policisë, Qemal Bramaj mund të ketë vdekur për shkaqe natyrale, pasi nuk i janë konstatuar shenja dhune dhe dëmtime në trup. Një tjetër i moshuar është gjetur i vdekur në Bozdovec. Sipas të dhënave të policisë lokale, 4-vjeçari Syrja Mecaj ka ndërruar jetë në një shtëpi në fshatin Brozdovec, që është pikë turistike, në shtëpinë e tij të vjetër. Një 60-vjeçar, ende i paidentifikuar, është gjetur i vdekur në Elbasan, i cili mund të ketë humbur jetën nga shkaqe natyrore.