"Më helmoi gruaja ime, donte të vdisnim bashkë"
Afërdita Rusi, gruaja shtatzënë, ka helmuar edhe burrin e saj para se të ndërronte jetë. Ky ka qenë konkluzioni në të cilin kanë arritur hetimet e grupit hetimor për ngjarjen e rëndë të fshatit Vishocicë, ku mbeti e vdekur nëna e tre fëmijëve, ndërsa në gjendje të rëndë në spital ka përfunduar edhe bashkëshorti i saj, Guri Rusi. Afërdita, që priste të sillte në jetë fëmijën e katërt nga martesa 15-vjeçare me burrin e saj, kishte vendosur të vetëvritej. Në banesën e tyre, çifti mbante pesticide, të cilat shërbenin për vreshtarinë. Helmi në formë pluhuri duket se ka tërhequr edhe gruan drejt vendimit për t‘i dhënë fund jetës. Një ditë më parë, ajo kishte blerë në dyqanin e fshatit një shishe me lëng frutash. Gruaja kishte përgatitur planin e vdekjes, por nuk do të largohej nga kjo jetë pa marrë me vete edhe burrin e saj. Kështu, 34-vjeçarja që ka pirë doza të shumta të helmit, i ka dhënë edhe bashkëshortit të pijë nga lëngu i përgatitur para se të shtriheshin për të fjetur si zakonisht në dhomën e tyre bashkëshortore. Afërdita Rusi, që gjeti vdekjen pasi u vetëhelmua me doza pesticidesh, ishte gjashtë muaj shtatzënë. Sipas policisë, ajo ka vdekur pa mundur të mbërrijë në spital, gjatë transportit drejt Bilishtit, ndërsa mjekët janë përqendruar për të shpëtuar jetën e burrit të saj në gjendje kritike. Bashkëshorti i Afërditës, Guri Rusi, i cili e ka kaluar tashmë gjendjen kritike për jetën, pas ndërhyrjes së specializuar të mjekëve të spitalit civil të Korçës, një ditë pas ngjarjes ka mundur më në fund të jetë i vetëdijshëm. I shtrirë në krevatin ku po mbahet në sallën e reanimacionit, 46-vjeçari, që tashmë ndihet më mirë pas marrjes së mjekimeve, tregon se nuk e priste vdekjen e gruas, ndërsa për të ka mbetur enigmë arsyeja se përse gruaja donte me patjetër të vdiste. Afërdita e kishte këtë martesën e saj të dytë, ndërsa siç tregon Guri, ajo ka qenë së fundi e sëmurë, madje nuk mund të flinte gjatë natës. Shëndeti i saj mendor dhe gjendjet e shpeshta depresive i ishin shtuar gruas gjatë shtatzënisë. Sipas Gurit, gruaja e tij ka qenë e shqetësuar dhe ditët e fundit kryente edhe veprime të pakontrolluara. Rusi thotë se gruaja kishte nisur të konsumonte pije alkoolike, natën nuk kishte gjumë dhe përpiqej të merrte ilaçe për të fjetur, ndërsa shpesh ikte nga shtëpia pa asnjë motiv, për shkak të depresionit. Por, 46-vjeçari tregon gjithashtu se si gruaja para se të flinte i kishte dhënë për të pirë helmin. "Pasi hëngrëm darkë dhe vumë fëmijët në gjumë, Afërdita shkoi më parë në dhomën tonë. Kur u ktheva unë ajo ishte e shtrirë në krevat. Më zgjati një gotë dhe ma dha ta pija para se të flinim", tregon Guri Rusi. Sipas bashkëfshatarëve, gruaja e kishte paralajmëruar vdekjen e saj, kur burri nuk ndodhej në shtëpi. Ajo mësohet se i ka thënë djalit të saj: "Mami sot do të vdesë". "Afërdita nuk e donte këtë shtatzëni. Ajo thoshte se nuk mund të mbanim edhe një fëmijë tjetër, por unë isha kundër kësaj. Pavarësisht se kishim vështirësi ekonomike do ta rrisja fëmijën me mund. Unë shkoj në punë në ndërtim në Bilisht. Kur u ktheva fëmijët nuk më thanë se çfarë u kishte thënë Afërdita atë ditë", thotë Guri. Edhe pse nuk e kanë marrë shumë seriozisht shprehjen e saj, edhe për faktin se shpesh shfaqte shenja dobësie dhe mërzitjeje, duket se 34-vjeçarja e ka vënë në jetë vendimin që kishte marrë. Sipas të mbijetuarit nga helmimi me pesticide, ai nuk e priste një vetëvrasje të gruas dhe madje ka pirë nga gota pa e ditur se do të helmohej.