Përurohet Regjistri Kombëtar i Kredive
Banka e Shqipërisë përuroi zyrtarisht fillimin e Regjistrit Kombëtar të Kredive, ku janë të regjistruara të gjitha kreditë e dhëna nga bankat tregtare në vendin tonë. Ky regjistër përmban mbi 200 mijë kredi aktive dhe ai do të shërbejë vetëm për bankat. Regjistri ka për qëllim të kontrollojë dhënien e kredive për të mos lejuar rritjen e huave të këqija. Por Kryeministri kërkoi që të shpejtohet në një afat sa më të shkurtër edhe përfshirja në këtë proces i të gjitha mikrokredive. Të gjitha institucionet e tjera, u shpreh Kryeministri, duhet të punojnë që të krijojnë ndërfaqe me Regjistrin e Kredive, në mënyrë që Hipoteka, pronat, Regjistri i Pasurive, Regjistri i Penaliteteve, të krijojnë ndërfaqen e domosdoshme për një veprimtari sa më të sigurtë. Ndërsa guvernatori Fullani, duke nënvizuar rëndësinë e madhe të kësaj ngjarjeje, listoi një sërë efektesh pozitive që pritet të sjellë krijimi i këtij regjistri. "Nëpërmjet tij, Banka e Shqipërisë synon të përmirësojë procesin e administrimit të kredisë në bankat tregtare, duke ofruar një instrument i cili mundëson analiza më të plota dhe efektive rreth aftësisë paguese të kredimarrësve. Përmirësimi i informacionit ndikon në reduktimin e kostove të institucioneve financiare kredidhënëse, që lidhen me kohën e analizës dhe pasojat e vendimeve të gabuara në fushën e kreditimit. Në një treg i cili shfaq nivele të kënaqshme konkurrence në fushën e kreditimit, funksionimi i Regjistrit të Kredive përmirëson aksesin në financim të kredimarrësve të ndryshëm, si dhe ndikon në uljen e normës së interesit të kredisë", tha Fullani.
Regjistri
Regjistri i Kredive është baza elektronike e të dhënave për kredimarrësit e sistemit bankar. Aktualisht, bankat kanë hedhur në regjistër portofolin aktiv të kredive si dhe ngarkojnë çdo ditë të dhëna për kreditë e reja. Këto informacione përfshijnë të dhëna për kredimarrësit, personat e lidhur dhe kolateralet e vëna si garanci për kthimin e kredisë. Bankat do të ngarkojnë çdo ditë kreditë e reja si dhe do të përditësojnë çdo fund muaji statusin e shlyerjes së kredive. Regjistri përmban informacione pozitive dhe negative për kredimarrësin, dhe ato do të ruhen në Regjistër për 5 vjet. Raporti i kredimarrësit që marrin bankat si produkt i Regjistrit përmban informacion mbi shumën e kredisë, shlyerjet e saj, shumat e vonuara, garancitë e vëna për të, të dhëna për linjat e kredisë ku kredimarrësi është person i lidhur, historiku i statusit të kredisë për dy vitet e fundit. Përdorimi i historikut të shlyerjes së kredive nga kredimarrësit do t‘iu shërbejë bankave në procesin e vendimmarrjes për dhënien ose jo të kredive të reja, duke reduktuar rrezikun e dhënies së kredive të këqija. Sistemi informatik ka kapacitete të mjaftueshme për zgjerimin në të ardhmen edhe me përfshirjen në të, në një periudhë afatshkurtër, të institucioneve të mikrofinancës. Kjo zgjidhje do të lejonte gjithashtu edhe ndërfaqësimin në të ardhmen të këtij Regjistri me Regjistrin Kombëtar të Kartave të Identitetit, me Regjistrin e Hipotekave dhe të Barrëve Siguruese, etj.