E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Parlamenti i Kosovës, gati të shpallë pavarësinë

Kuvendi i Kosovës e di që së shpejti do të ndodhë Deklarata për Pavarësinë e Kosovës, deklaroi kreu i tij, Jakup Krasniqi, pas takimit me shefin e Zyrës Italiane në Prishtinë, Patrik Mura, duke shtuar se Kuvendi është në fazën finale të përgatitjeve për ta shpallur pavarësinë e vendit. Ndërsa diplomati italian Mura tha se tashmë është i qartë qëndrimi i qeverisë italiane ndaj Kosovës dhe gjithsesi do të jetë në koordinim me partnerët evropianë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha pas takimit se gjatë ditëve të ardhshme do të ketë edhe disa konsultime me kryetarin e vendit, Fatmir Sejdiu, dhe Kryeministrin Hashim Thaçi rreth procesit të shpalljes së pavarësisë së vendit. Për këtë, sipas tij, ende nuk ka datë fikse por dihet se ajo do të ndodhë së shpejti.

"Parlamenti i Kosovës e din që së shpejti do të ndodhë Deklarata për Pavarësinë e Kosovës dhe kërkesa për ta njohur atë nga vendet e Perëndimit dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra për ta njohur pavarësimin e Kosovës, dhe kjo do të ndodh shpejt", ka theksuar kryeparlamentari Krasniqi. Është e rëndësishme që secilin hap që do të ndërmarrë Parlamenti i Kosovës të jetë në koordinim me partnerët brenda Bashkimit Evropian. Ndërsa, sa i përket qëndrimit të qeverisë italiane ndaj Kosovës, ai tashmë është i qartë, pra do të jetë vendim i përbashkët brenda familjes evropiane, tha shefi i Zyrës Italiane në Prishtinë, Patrik Mura. Ai shtoi se fakti më i rëndësishëm në këtë periudhë është se Kosova i ka krijuar institucionet e reja. "Ka mjaft punë për të bërë. Ne jemi të kënaqur që Kosova tashmë e ka formuar përbërjen e re parlamentare, e cila besojmë se do të jetë e gatshme t‘i kryejë detyrat që do t‘i dalin përpara, veçanërisht në këto momente të fazës finale të procesit negociator për përcaktimin e statusit", tha Mura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›