Serat, rimbursohet TVSH e karburantit
Qeveria shqiptare duket se do të rikthejë edhe një herë subvencionet e serave me ngrohje, pasi i hoqi ato gati dy vjet më parë, me argumentin se skema linte hapësira të mëdha për abuzim. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, me kërkesë të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH), ka hartuar projektvendimin e ri "Për rimbursimin e akcizës së lëndëve djegëse (solar dhe mazut) të konsumuar nga serat me ngrohje dhe industria agroushqimore". Sipas burimeve të kësaj ministrie, projektvendimi është hartuar në bazë të një grupi pune me ekspertë të institucioneve të linjës dhe ka për qëllim të përcaktojë kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojnë subjekte të cilat kanë sera me ngrohje, apo prodhojnë produkte industriale dhe agro-ushqimore, të cilat për nevoja teknologjike të prodhimit konsumojnë lëndë djegëse, akciza e të cilave rimbursohet në përputhje me sasinë e produktit final, të shitur me faturë TVSH-je. Burime nga KASH, bënë të ditur se, në sektorët që pritet të përfitojnë nga ky projektvendim janë përpunuesit e qumështit, të bukës, të ëmbëlsirave, pijeve alkoolike e perimeve.