E Diel, 1 Nëntor 2026

Teuta e të rinjve frenon Partizanin

Partizani ka lënë sërish pikë në transfertë, duke i dhuruar Dinamos titullin "Kampione e dimrit" një javë para ndërprerjes së kampionatit. Skuadra e drejtuar nga Hasan Lika është ndalur në Durrës, përballë Teutës vendase që i ka shkuar shumë pranë surprizës, por është ndëshkuar përsëri në minutat e fundit, ashtu si në javën e kaluar me Dinamon. Gjithsesi, barazimi 1-1 u ka pëlqyer durrsakëve, të cilët janë larguar përkohësisht nga dy vendet e fundit të tabelës, ato që sjellin rënien direkte në Kategorinë e Parë. Ndërsa Partizani tashmë është 4 pikë larg Dinamos dhe duhet të mendojë më shumë për të administruar këtë diferencë në ndeshjen e fundit të vitit 2007 që e vë përballë Flamurtarit.

Lika vendosi të mbante që në fillimin e ndeshjes në stol mesfushorin Bakaj, por duket se kjo lëvizje e trajnerit nuk rezulton e suksesshme, pasi Partizanit i mungon fantazia. Përveç një rasti të Abilaliajt në minutën e 7-të, është Teuta që kontrollon lojën dhe krijon raste me anë të dyshes tashmë të kolauduar Haliti-Gega. Durrsakët krijojnë disa raste radhazi para portës së Shehit, i cili detyrohet disa herë të mbulojë gabimet e prapavijës me pritjet e tij për të shpëtuar rezultatin. Megjithatë, as ai nuk mund të bëjë asgjë në minutën e 30-të, kur Dushku shfrytëzon një goditje nga këndi të Halitit për të goditur me kokë dhe për të shënuara avantazhin e merituar të vendasve. Partizani është tërësisht i shpërqendruar dhe kjo kuptohet mjaft mirë, pasi Gega dhe Haliti vazhdojnë të shfaqen me vazhdimësi përballë portës së kryeqytetasve, por pa arritur të shfrytëzojnë rastet e krijuara. Janë vetëm ndërhyrjet e Shehit ato që shpëtojnë portën e Partizanit nga gola të tjerë në pjesën e parë që mbyllet me avantazhin minimal të Teutës. Pritet reagimi i Partizanit, por edhe në fillimin e pjesës së dytë janë përsëri durrsakët që shfaqen rrezikshëm para portës. Gega dhe Hysa shfaqen dy herë para Shehit që në minutat e para, por gjuajtjet e tyre kontrollohen nga gardiani i të kuqve. Me kalimin e minutave, duket se Teuta do të gjejë edhe golin e dytë, por durrsakët nuk arrijnë të konkretizojnë epërsinë e tyre territoriale. Lika vendos të hedhë në fushë Bakajn, duke larguar Karapicin për të krijuar një skemë më ofensive. Por planet e tij prishen nga kartoni i dytë i verdhë i Devollit, që largohet para kohe nga fusha e lojës duke lënë skuadrën në inferioritet numerik. Si për çudi, ky episod i jep më shumë impuls lojës së të kuqve, të cilët shfrytëzojnë edhe formën jo të mirë fizike të durrsakëve për të t‘u hedhur në ofensivë. Bakaj, Muzaka dhe Abilaliaj shpërdorojnë disa raste radhazi, ndërsa sulmuesi godet edhe shtyllën e portës së Kapllanit, i cili për shumë minuta kishte qenë thjesht spektator. Por në minutën e 78-të, vjen edhe goditja vendimtare e kapitenit Beqiri, i cili shënon pas një pasimi të saktë nga krahu i majtë. Partizani beson te fitorja, por është Teuta tashmë që e kthyer në mbrojtje arrin të ruajë rezultatin, duke marrë një pikë shumë të vlefshme përballë një prej skuadrave pretendente të kampionatit.

Java 16

Ndeshjet

Flamurtari-Dinamo 1-2

Kastrioti-Shkumbini 0-0

Tirana-Besa 2-0

Vllaznia-Besëlidhja 3-0

Dje

Teuta-Partizani 1-1

Dushku 30‘ / Beqiri 78‘

Skënderbeu-Elbasani 0-1

Karçev 50‘

Klasifikimi

Skuadra N F B H gol. Pikë

1. Dinamo 16 10 4 2 23-6 34

2. Partizani 16 8 6 2 24-10 30

3. Tirana 16 8 4 4 21-13 28

4. Elbasani 16 7 6 3 14-8 27

5. Besa 16 8 3 5 19-12 27

6. Vllaznia 16 6 7 3 22-16 25

7. Shkumbini 16 5 6 5 16-15 21

8. Flamurtari 16 5 6 5 15-16 21

9. Kastrioti 16 5 2 9 11-22 17

10. Teuta 16 3 3 10 11-23 12

11. Besëlidhja 16 3 3 10 12-30 12

12. Skënderbeu 16 2 2 12 18-35 8

Java 17

Shkumbini-Teuta

Besëlidhja-Kastrioti

Elbasani-Besa

Dinamo-Skënderbeu

Partizani-Flamurtari

Vllaznia-Tirana

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›