Ndalohet për marrëdhënie seksuale me të mitura
Një 45-vjeçar nga qyteti i Cërrikut është ndaluar dje nga policia e Komisariatit të Elbasanit. Sipas burimeve të kësaj të fundit mësohet se 45-vjeçari Shkëlqim Hyseni prej kohësh kryente marrëdhënie seksuale me vajza të mitura. Sipas burimit në fjalë, Hyseni kishte kohë që kryente një aktivitet të tillë, por një pesëmbëdhjetëvjeçare, G.S., kishte marrë guximin ta denonconte për flirtet e tij me minorenet. Burimet policore sqarojnë se 45-vjeçari kishte mundur të joshte disa vajza të kësaj moshe, duke hyrë në marrëdhënie intime me to, pavarësisht "ligjshmërisë" për veprime të tilla. Mësohet ndërkohë se 45-vjeçari është në dhomat e paraburgimit në policinë e Elbasanit, ndërsa materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Dy ditë më parë policia në Kavajë ka arrestuar Idriz Hoxhën, bariun e fshatit, pasi ai kishte abuzuar seksualisht me dy vajza të fshatit. Njëri prej prindërve të vajzave kishte gjetur Hoxhën duke i ngacmuar vajzat seksualisht dhe nuk vonoi që të bënte denoncimin në policinë lokale.