E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata: Olldashi dëshmitar tek Rexhajt

Kërkesa e hershme e vëllezërve Qamil dhe Abedin Rexhaj për të pasur si dëshmitar në procesin ndaj tyre ish-deputetin e zonës së Shijakut, Sokol Olldashi është pranuar dje nga gjykata e krimeve të rënda në kryeqytet. Dje në seancën e radhë së këtij gjyqi trupi gjykues ka dhënë vendimin e ndërmjetëm duke pranuar kërkesën e shumë përsëritur nga ana e të pandehurve. Në seancën e fundit të provave të akuzës, mbrojtja kishte kërkuar sërish që Olldashi të vinte për të dëshmuar, lidhur me vendndodhjen e Rexhajve natën e krimit.

Ndërkaq dje procesi ka vijuar më thirrjen e dëshmitarëve të mbrojtjes. Dedë Ismaili me detyrë roje në zyrat e Komunës Katund i Ri në Durrës, ka dalë para trupit gjykues duke deklaruar se në datë 7 korrik 2005 pasi ka marrë detyrën nga Abedin Rexhaj, i cili kishte qenë roje turnin e parë, është takuar sërish me të orët e mbrëmjes, kur i pandehuri kishte kaluar sërish në afërsi zyrave. Në këtë mënyrë ai është përpjekur të rrëzojë pretendimet e prokurorisë për vendndodhjen e Abedinit natën e vrasjes së mjekut nga Hasi, Behar Kastrati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›