BB: Përzgjedhja e ilaçeve të rimbursuara, shumë e cenuar
Përzgjedhja e ilaçeve gjatë hartimit të listës së rimbursimit është pika më e dobët e sistemit farmaceutik në vendin tonë. Ky konstatim vjen pas një studimi të kryer nga ekspertët e Bankës Botërore në këtë drejtim. Metodologjia e vlerësimit të tyre është përgatitur nga ekspertë ndërkombëtarë të OBSH-së dhe BB-së.
Këta specialistë, pas një monitorimi të kryer në të gjitha hallkat e përcaktimit dhe shpërndarjes së ilaçeve të rimbursueshme në vendin tonë, kanë arritur në konkluzionin që "selektimi i barnave është shumë i cenuar".
Edhe pse asnjëherë nuk është thënë hapur, apo të faktohet me prova konkrete, gjithnjë është aluduar se në listën e barnave që shteti paguan për shtresat në nevojë, vendosen medikamente që nuk kanë prioritet shëndetin e popullatës, por interesat e furnizuesve të këtij tregu. Studimi i fundit, që "mat temperaturën" e këtij procesi, tregon se ilaçet që rreshtohen në listën e rimbursimit përbëjnë edhe problematikën më të mprehtë. Kjo për shkak të faktit se këto barna garantojnë një treg, ku malli është i shitur që në fillim, pasi blerës direkt është shteti. Vlerësimi i bërë nga ekspertët e BB-së si proces "shumë i cenuar" ka dalë përmes një pyetësori të posaçëm të hartuar prej tyre. Kështu, mungesa e disa rregullave dhe standardeve në përzgjedhjen e këtyre ilaçeve nuk mund të mos ngrejë shumë pikëpyetje. Këtu nuk përjashtohet as fenomeni i konfliktit të interesit apo përcaktimi i medikamenteve të preferuara për grosistët. Këta të fundit, prej muajsh po kundërshtojnë projektligjin, që sipas qeverisë liberalizon tregun e barnave.
Studimi
"Informacion mbi rezultatet dhe sugjerimet e studimit të BB-së për përmirësimin e transparencës në sektorin farmaceutik". Ka qenë ky studimi i realizuar nga ekspertët e BB-së. Ata kanë pasur si qëllim fokusimin në tri problematika kryesore: qeverisjen e mirë dhe aksesin te barnat; korrupsionin dhe sistemet shëndetësore; si dhe identifikimin e dobësive të sistemit. Rezultatet e monitorimit botohen për herë të parë dhe ato i përkasin vëzhgimit të realizuar deri në fund të dhjetorit të vitit 2007. Një nga çështjet kryesore të marra në shqyrtim, por që ka rezultuar edhe si më problematike, ka qenë ajo e selektimit ose përzgjedhjes së barnave në listën e rimbursimit. Ekspertët janë kujdesur që në hartimin final të studimit të paraqesin të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet për drejtuesit e shëndetësisë në vendin tonë.
Vërejtjet
Vlerësimi i ekspertëve të BB-së konstaton se "procesi i selektimit të barnave është vlerësuar me 3.6, që do të thotë shumë i cenuar". Sipas tyre, mangësitë e konstatuara në këtë proces kanë të bëjnë me mungesën e një metodologjie për procesin e selektimit të ilaçeve nga ana e komisionit përkatës. Gjithashtu, në studim vërehet se ende nuk ka një listë të barnave esenciale, sipas nevojave dhe specifikave kombëtare. Një ndër vërejtjet e radhës është mosekzistenca e rregullave për anëtarët e komisioneve të barnave, të cilët vendosin për përbërjen e listës së rimbursimit. Këtu nuk është përjashtuar as mungesa e standardeve në procedurat e vendimmarrjes, si dhe vakumi i rregullave për konfliktin e interesave në sistemin e barnave.
Hartuesit
Aktualisht, lista e barnave të rimbursueshme hartohet nga Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet një komisioni të posaçëm. Kjo strukturë drejtohet nga ministri i Shëndetësisë, në rastin konkret Nard Ndoka. Ai gëzon të drejtën finale për ta miratuar e firmosur këtë listë ose jo. Ky komision përbëhet nga disa anëtarë që përzgjedhin ose seleksionojnë barnat, që duhet të jenë në listën e rimbursimit. Tre anëtarë të tij përfaqësojnë Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, por ata nuk kanë të drejtë vetoje. Ndërkohë që një vend mjaft të rëndësishëm zënë specialistët e shërbimeve në Ministrinë e Shëndetësisë. Propozimet për listën duhet të bëhen në përputhje me mendimin shkencor mjekësor për ilaçet që duhen përfshirë në skemë. Vetëm pas rakordimeve të komisionit pranë Ministrisë së Shëndetësisë bëhen publike edhe ndryshimet e listës, shtimi ose eliminimi i barnave prej saj.
Rekomandimet
Ekspertët e BB-së në studim kanë prezantuar edhe një seri sugjerimesh. Sipas tyre, është e domosdoshme përgatitja e listës së barnave esenciale kombëtare dhe mbajtja e saj si referencë. Vendosja e standardeve të procedurave të vendimmarrjes, si dhe ato për anëtarët e komisioneve, konsiderohen gjithashtu si elementë të rëndësishëm. Ata rekomandojnë edhe hartimin e protokolleve të mjekimit sipas diagnozave, po ashtu edhe përcaktimin e sasisë së barnave, sipas nevojave të çdo spitali.