E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentohet për vdekje 60-vjeçari, babë e bijë plagosen rëndë

Ditë e rënduar me aksidente rrugore ka qenë 24-orëshi i fundit në qytetin e Shkodrës, ku janë shënuar edhe viktima. Kështu, brenda 4 orëve kanë ndodhur dy aksidente me një të vdekur, dy të plagosur dhe dy drejtues mjetesh të ndaluar nga policia. Aksidenti i parë dhe më i rëndi ka shkaktuar vdekjen e një 60-vjeçari. Ngjarja në fjalë ka ndodhur dje paradite rreth orës 10:30, në një nga rrugët kryesore të qytetit të Shkodrës, në vendin e quajtur kryqëzimi i "Rusit". Viktima quhet Gjok Vuktilaj, banues në lagjen "Perash" të Shkodrës dhe pak para se të aksidentohej me vdekje ai ka qenë duke bërë pazarin pranë tregut ushqimore të "Rusit". Në moment ka qenë duke prerë rrugën me një biçikletë në të cilën kishte një thes me patate dhe është përplasur me një kamion të tonazhit të lartë. Si pasojë e përplasjes, 60-vjeçari Vuktilaj ka marrë një goditje të fortë në kokë, që i ka shkaktuar vdekjen në vend. Burime nga policia e Shkodrës pohojnë se nga hetimet paraprake rezulton se shkak i aksidentit mund të jetë bërë pakujdesia e viktimës që i ka prerë në mënyrë të befasishme rrugën kamionit me targa të huaja 35CZF85, që drejtohej nga një turk, Mustafa Mullia, 40 vjeç, banues në Izmir. Po sipas policisë, pesha që kishte pas biçikletës viktima, një thes me patate e qepë, mund të jetë bërë dhe shkak i humbjes së ekuilibrit, duke u rrëzuar para kamionit e duke provokuar kështu aksidentin në fjalë. Në të njëjtën kohë policia ka shoqëruar për në polici drejtuesin e kamionit deri në përfundimin e plotë të hetimeve në lidhje me ngjarjen, si dhe ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin tip kamion me të cilin është përplasur viktima. Duke qenë se aksidenti ka ndodhur në rrugën dalëse të qytetit, pak metra larg rrugës nacionale Shkodër-Hani i Hotit, trafiku i makinave dhe i kureshtarëve të shumtë ka bllokuar për disa minuta qarkullimin, duke sjellë dhe kaos në trafik. Me ndërhyrjen e policisë rrugore është bërë e mundur lëvizja e automjeteve në një korsi të rrugës. Tre orë pas këtij aksidenti, një tjetër aksidentet ka ndodhur në aksin rrugor Shkodër-Koplik, në vendin e quajtur Ura e Vrakës, ku një fuoristradë tip "Mitsubishi", me targa të huaja, me drejtues Artil Markaj nga rrethi i Malësisë së Madhe, ka përplasur dy kalimtarë të rastit, babë e bijë, Ramadan e Flutura Alia, të cilët po udhëtonin anës rrugës me një biçikletë. Si pasojë e përplasjes, të dy kalimtarët kanë marrë dëmtime, por më e rënduar paraqitet gjendja shëndetësor e vajzës, e cila ka marrë disa plagë në trup dhe ka thyerje këmbe. Sipas mjekëve në spitalin rajonal të Shkodrës, vajza e dëmtuar nuk ka rrezik për jetën. Ajo është nën kujdesin e mjekëve dhe situata e saj shëndetësore është nën kontroll. Ndërkohë, drejtuesi i mjetit, Artil Markaj, është shoqëruar për në Komisariatin e policisë Shkodër. Policia ende nuk ka përcaktuar shkakun e këtij aksidenti dhe është duke hetuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›