Fondet, i vështirë zgjerimi i listës
Buxheti i ISKSH-së për vitin 2008 lidhur me rimbursimin e barnave është 4.2 miliardë lekë. Në listën aktuale janë gjithsej 364 barna. Një vit më parë listës iu shtuan edhe 14 ilaçe të reja. Buxheti financiar i vitit të kaluar kapte shifrën e 3.9 miliardë lekëve. Por kërkesa e ISKSH-së për të shtuar fondin e 2008-ës me 10 për qind u refuzua. Një gjë e tillë, sipas ekspertëve vlerësues, do të thotë që e bën shumë të vështirë përfshirjen në listë të barnave të reja, sidomos të atyre që kushtojnë shtrenjtë. Shkak për këtë bëhet rritja e sëmundshmërisë nga njëri vit në tjetrin, apo shtimi i numrit të personave me diagnoza kronike, që i bashkëngjiten skemës së rimbursimit. Pensionistët, fëmijët nga mosha 0-14 vjeç, invalidët, hemofilikët etj., janë mes përfituesve të rimbursimit të barnave. Pjesa më e madhe e tyre rimbursohet në vlerën 100 për qind dhe të tjerë me 70 ose 50 për qind, sipas kategorive ku bëjnë pjesë.