Kombinatasit në shesh për ujë dhe drita
Dhjetëra banorë të Kombinatit kanë preferuar që ditën e diel ta kalojnë duke protestuar dhe jo duke shëtitur si zakonisht. Ata kanë kërkuar përmirësim të kushteve të jetës, si më shumë drita dhe ujë. Gjatë protestës, ata kanë kërcënuar se "do të bllokojnë rrugën kryesore, nëse qeveria nuk merr masa për zgjidhjen e problemeve të tyre". Mungesa e ujit dhe dritave ka bërë që ata t‘i drejtohen sheshit kryesor. Sipas banorëve, terri në Kombinat ka më se tre vjet që ka pushtuar lagjen. Me gjithë premtimeve të krerëve të KESH-it për heqje të kufizimeve elektrike, situata vazhdon të mbetet e njëjtë. Drejtuesi i protestës, Gëzim Karanxhi, u ka bërë thirrje qeveritarëve të marrin masa për zgjidhjen e kësaj situate, ndërsa ka paralajmëruar se në rast të kundërt, banorët do të bllokojnë rrugën hyrëse për në Kombinat që lidh kryeqytetin me qytetet jugore të vendit. Protestuesit, që ishin kryesisht gra, shprehen se kjo gjendje është e padurueshme dhe se Kombinati duhet të ketë energji elektrike si lagjet e tjera dhe jo të mbetet i diskriminuar. Sipas tyre, ka afro tre vjet që ka kufizime të mëdha të energjisë elektrike. "Nga 24 orë të ditës, Kombinati furnizohet vetëm 12 orë", shprehen ata. Ata akuzojnë qeverinë për këtë situatë që ka lënë pas dore këtë zonë. Protestat popullore në nevojat jetike si uji apo dritat janë të rralla, edhe pse këto dy elemente janë ndër më të rëndësishmit për jetën e qytetarëve. Kufizimet janë më të theksuara në zonat e periferisë, si Kamza, Kombinati, Kinostudio, etj. Dhjetëra-mijëra banorë të Tiranës vazhdojnë të mbushin kova me ujë edhe pse jetojnë në shekullin XXI. Për sa i përket kufizimeve të energjisë vihet re se ato nuk aplikohen që nga festat e vitit të ri në pjesën më të madhe të Tiranës. Por përjashtim bën periferia që vazhdon të ketë kufizime me orë të zgjatura të energjisë elektrike. Ndërsa uji i pijshëm vjen si zakonisht në oraret e caktuara, ndaj qytetarët kanë bërë zgjidhje të ndryshme për posedimin e tij, ku përfshihen pompat dhe cisternat.