E Diel, 1 Nëntor 2026

Hebrenjtë, lidhjet që lanë në Tiranë

Mijëra hebrenj rendën drejt Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur u përzunë nga nazizmi gjerman. Ata që i pritën hyjnë ndër familjet e nderuara, pasi rrezikuan veten. Ky gjest i tyre, por edhe lidhjet e mëtejshme mes shqiptarëve dhe hebrenjve, u përkujtuan më 27 janar, në Ditën e Holokaustit. Kreu i Bashkisë së Tiranës i kushtoi një rëndësi të veçantë familjeve tiranase që strehuan hebrenjtë. "Është një akt që i bën një nder të jashtëzakonshëm historisë së vendit tonë, historisë së qytetit tonë dhe besoj, për të mos harruar dhe njëkohësisht për të dëshmuar se për hir të disa parimeve dhe vlerave universale". Kështu u shpreh Rama para atyre që pritën hebrenjtë e Luftës së Dytë Botërore, por edhe disa hebrenjve që jetojnë në vendin tonë.

Hebrenjtë e asaj kohe jetuan në familjet shqiptare në kohën kur nazistët i kërkonin në çdo shtëpi. Në vendin tonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, janë strehuar rreth 3000 hebrenj. Qytetarët e Tiranës kanë farkëtuar një miqësi me një nga popujt më të vjetër të botës, pasi shumë familje morën nën mbrojtje gjatë viteve të luftës shumë qytetarë hebrenj dhe vazhdojnë ta mbajnë ende, të ripërtërijnë dhe të forcojnë lidhjet e vjetra.

Po kështu, shumë shoqata shqiptaro-izraelite, forcojnë lidhjet mes dy popujve, duke organizuar herë pas here vizita në vendet respektive. Në Ditën e Holokaustit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Rama, ka vlerësuar personalitete me origjinë hebraike me titullin: "Qytetar Nderi". Dy nga 20 Qytetarët e Nderit të Tiranës janë publicisti i shquar i letërsisë shqipe me origjinë hebraike Robert Shvarc dhe filantropisti hebre me famë botërore, mik i vendit tonë, George Soros. Në nder të lidhjes shqiptaro-hebrenje, bashkia iu/////////////////// ka emra rrugësh personave që u kanë garantuar jetën familjeve dhe individëve me origjinë hebraike.

Por jo vetëm Edi Rama i ka kushtuar rëndësi kësaj dite. Historiani Apostol Kotani ka hedhur dje në qarkullim një botim historik me dokumente të reja mbi hebrenjtë, në të cilat vërtetohet se lidhjet shqiptaro-hebraike janë më të hershme nga ato të Luftës së Dytë Botërore. Ndërkohë që këto ditë, disa artistë si, Pirro Milkani dhe Saimir Kumbaro, sapo kanë përfunduar një film dokumentar për hebrenjtë e Shqipërisë. Në ceremonitë e organizuara në Tiranë për nder të hebrenjve ka marrë pjesë edhe ambasadorja e Izraelit në vendin tonë, zonja Amira Arnon. Ajo u shpreh se "shteti i Izraelit ka vlerësuar mjaft familje shqiptare, ndër to edhe të Tiranës. Duke nderuar humanizmin tashmë të njohur, këto familje janë dekoruar nga shteti i Izraelit për veprën e tyre humane".

Disa nga familjet që kanë strehuar qytetarë hebrenj janë Margarita Kristidhi, Edi Pilku, Llambi Kasapi, Erika Toptani, Haki Bulku, Petrit Veseli, Petrtit Kika, Myzafer Kazazi, Agron Mariku, Lulzim Gogja, Sadik Kalaja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›