Bllokohen në "4 rrugë" shpërndarësit e heroinës
Veç operacionit "Kufiri i fundit", policia ka arrestuar dje edhe katër shpërndarës të tjerë droge, të cilët janë kapur teksa kryenin shitjen e lëndës narkotike. Burimet policore të Tiranës bënë të ditur se po nga antidroga, falë posedimit të informacioneve operative, u vendosën në pranga një grup prej katër personash me aktivitet "prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike". Arrestimi i tyre u realizua gjatë operacionit të koduar "4 rrugët". Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij operacioni u kapën Juljan Shefqet Firanji, 30 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Durrës, i dënuar më parë për vjedhje, Armando Edmond Vokshi, 20 vjeç, lindur dhe banues në Durrës, Napoleon Sulo Çipi, 42 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Shijak, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe Agron Bajram Tahiri, 37 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve. Arrestimi i tyre u krye pasi Juljan Firanji dhe Armando Vokshi u kapën në rrugën "Hoxha Tasim", gjatë momentit të dorëzimit të lëndës narkotike tek Agron Tahiri, i cili ishte porositësi i lëndës narkotike. Ndërkohë, personi i katërt, Napoleon Çipi u arrestua si shitës i kësaj lënde. Sipas policisë, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 100 gramë heroinë, 140 mijë lekë të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, një dorezë metalike për të cilën dyshohet si armë e ftohtë, tre aparate celularë dhe një sasi prej 80 qesesh plasmani, që përdoreshin për paketim dhe ambalazhimin e lëndës narkotike. Policia tha se materialet i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.