Kriza ekonomike mbërthen edhe Maqedoninë fqinje
Maqedonia gjendet në mesin e 50 tregjeve të para, të cilat do të paguajnë çmim më të lartë në rast se bota goditet prej krizës kreditore. Këto janë vlerësime të shtëpisë së pavarur ndërkombëtare konsultuese, "Oxford Analytice", e cila publikoi indeks të kolapsit global kreditor për vitin 2008, ku janë përfshirë 137 tregje në zhvillim. Maqedonia në këtë listë të rrezikut prej kolapsit global kreditor gjendet në vendin e 48-të.
Prej vendeve të rajonit, rrezik më të madh ka për Kroacinë, e cila gjendet në vendin e 4-të, Rumania është në vendin e 7-të, Sllovenia në të 10-in, Bosnjë e Hercegovina në vendin e 34-t, Serbia në 50-të. Prej liderëve evropianë të tranzicionit, rreziku më i vogël ndërlidhet me Poloninë, e cila është në vendin e 75-të. Nga ana tjetër, Letonia, Turqia, Hungaria, Kroacia dhe Libani janë shtetet të cilat më së shumti do t‘i ndjenë tronditjet e tregjeve financiare. Rang lista e kolapsit potencial kreditor mat fiskalizimin dhe deficitin në shkëmbimin me vendet e jashtme, varësisht prej importit të naftës, pjesëmarrjes të kreditorëve privatë në borxh, pagesa e borxheve në vitin rrjedhës dhe shpejtësia e rritjes së kredive. Në Indeksin e "Oxford Analytice" nuk janë ranguar forcat më të zhvilluara në botë dhe of-shorqendrat financiare.