E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodranët, me trastë ushqimesh nga Mali i Zi

Shkodranët sfidojnë tregjet shqiptare, duke preferuar tregjet malazeze. Në Shkodër, ashtu si në të gjithë vendin, janë rritur ndjeshëm të gjitha çmimet, por, në ndryshim nga qytetet e tjera, ku çmimin kryesor të rritjes e ka kryesuar çmimi i bukës, në Shkodër ka thyer rekord çmimi i vajit, i cili ka shkuar deri në 240 lekë nga 180 që ka qenë dhe çmimet e zarzavateve e frutave që janë trefishuar. Nga kjo rritje çmimesh, të vetmet që i kanë shpëtuar janë çmimet e pijeve në lokale. Duke krahasuar qytetin e Shkodrës me vendin fqinj, Malin e Zi, i cili ka një nivel disa herë më të lartë jetese, çmimet më të larta janë në Shkodër. Kjo ka bërë që qytetarët shkodranë, të cilët lëvizin në Mal të Zi për probleme të ndryshme, kur kthehen marrin me vete mallra ushqimore, pasi çmimet janë 50% më lirë. Madje, siç shprehet një qytetar, Fatmir Kola, i cili tregton veshmbathje nga Mali i Zi "ne hyjmë e dalim çdo ditë dhe të gjitha ushqimet i blej në Mal të Zi. Aty jo vetëm që janë shumë më lirë, por ka edhe ndryshim tepër të madh në cilësi dhe është me leverdi që të marrësh rrugën e të blesh ushqime për një muaj, pasi nuk është më shumë se 30 km". Në Shkodër kjo rritje është më e ndjeshme, për vetë faktin se ky qytet shënon numrin më të lartë të papunësisë. Nga 24 mijë familje që ka qyteti, rreth 30 mijë banorë jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike dhe numri i të papunëve mendohet të jetë rreth 20 mijë persona. Por dhe ata që janë të punësuar në sektorin privat në Shkodër nuk ofrojnë rroga më të mëdha se 15 mijë lekë, duke krijuar mjaft probleme dhe në familjet që mund të quhen të punësuara. Sipas statistikave të marra nga zyra e punësimit në Shkodër, 70% e të punësuarve, që janë kryesisht në rrobaqepësi dhe zdrukthëtari, kanë një rrogë mesatare 15 mijë lekësh në muaj dhe këto të ardhura për një familje në Shkodër, përballë çmimeve që janë dyfishuar, është mjaft problematike. Situata e rënduar e çmimeve realisht është bërë objekt diskutimesh në çdo ambient të qytetit, në kafene, në rrugë apo edhe institucione të ndryshme. Të pyetur për rritjen e çmimeve, tregtarët e pakicës ia vënë fajin atyre të shumicës, ndërsa këto të fundit fajësojnë për rritjen e çmimeve strukturat shtetërore, në qendër të të cilave kanë vepruar në atë mënyrë që kanë detyruar rritjen. Në këto kushte është duke u vënë re në të gjithë sektorët e shitjes një ulje ndjeshme e fuqisë blerëse. Kjo ka prekur të gjitha dyqanet, duke filluar nga veshmbathjet e deri tek ushqimet. Në të gjitha njësitë tregtare problem për shitësit është rënia e fuqisë blerëse dhe kjo lidhet dhe me rënien ekonomike të ndjeshme në familjet Shkodrane. Speci i vendit sot është 70-80 lekë, kur vjet ishte vetëm 25-30 lekë të reja. Bananen në shtator të 2006-ës shkodranët e kanë blerë me 90 lekë kilen, kurse sot normalisht 150 lekë kilja.

Barbunjat në Shkodër vitin e kaluar kanë kushtuar vetëm 100 lekë dhe sot është bërë 200 lekë. Gjalpi i vendit ka kushtuar 400 lekë dhe sot kushton 480 lekë. Kastraveci në Shkodër sot është 150-200 lekë dhe në shtator të 2006-ës ishte vetëm 20 lekë.

2007

Kosi, 30 lekë

Qumështi, 70 lekë

Domatja, 50 lekë

Patëllxhani, 30 lekë

Vaji, 140 lekë

Barbunja, 100

2008

Kosi, 50 lekë

Qumështi, 90-110

Domatja, 150 lekë

Patëllxhani, 100 lekë

Vaji, 220 lekë

Barbunja, 200

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›