E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Berisha të mos e injorojë KLSH-në

Erion Braçe kërkoi dje për herë të fundit dorëheqjen e ministrit të Jashtëm Lulzim Basha. Në komunikimin me median ai i bëri thirrje Kryeministrit Sali Berisha të mos heshtë për raportin e KLSH-së. Ndërsa paraqiti pjesën e fundit të raportit të këtij institucioni sa i takon rrugës Durrës-Kukës. Sipas tij, vërejtja e parë e KLSH-së ka të bëjë me fondin limit të përcaktuar nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve për prokurimin publik dhe vërejtja është shumë domethënëse. "Enti prokurues, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, nën varësinë e Ministrisë së Transporteve, dhe konkretisht ministrit Basha, ka llogaritur fondin limit më shumë, sesa përcakton projekti i zbatimit në vlerën totale prej 568 milionë lekësh të reja, që do të thotë rreth 6 milionë dollarë më tepër për të gjithë rrugën, nga Kalimashi-Kukës-Morin", nënvizoi Braçe. Duke marrë në konsideratë, shtoi ai, kompensimet e bëra në vlerën midis volumeve të rritura dhe volumeve të ulura, të cilat janë shpërndarë nga pak në të gjithë zërat e preventivit të hedhur në tenderët, fondi limit është parashikuar më tepër, në vlerën 91 milionë lekë të reja. PS-ja pretendon se konkluzioni i parë i KLSH-së, lidhur me përcaktimin e fondit limit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, e penalizon rëndë këtë drejtori dhe fondi limit është planifikuar më tepër rreth 6 milionë euro. "Pra, kur vlera totale e gjithë rrugës është tek 60 milionë dollarëshi, imagjinoni 6 milionë euro, ose 10% e kësaj vlere të prokuruar ka qenë mbi projektin e zbatimit të rrugës", argumentoi Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›