Tiranë-Shkup, mbyllet telenovela
Telenovela "Vizat..." përfundon me fund të lumtur. Tirana dhe Shkupi arritën të mbyllin marrëveshjen që legalizon heqjen e vizave ndërmjet dy vendeve. Delegacionet e ministrive të Jashtme të Shqipërisë dhe Maqedonisë dje arritën përmbylljen e draftit dhe kanë shtrënguar duart e janë përqafuar fort përpara mediave. Drafti i miratuar do të "noterizohet" nga dy kryeministrat Berisha dhe Gruevski më 18 shkurt në Tiranë. Marrëveshja midis delegacioneve të të dyja vendeve u arrit pas negociatave dyditëshe të zhvilluara në Shkup. Kjo marrëveshje nënkupton se shtetasit e një vendi në vendin tjetër mund të qëndrojnë 90 ditë brenda gjashtë muajve. Gjithashtu, me marrëveshjen parashikohet që zonat kufitare, 20 kilometra nga kufiri, do të mund të kalojnë në vendin tjetër fqinj vetëm me karta identiteti. Ajo do të duhet të firmoset nga dy kryeministrat në Tiranë nga fundi i muajit, kurse, siç u tha, do të hyjë në fuqi sa më shpejt që është e mundur.
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, tha se marrëveshja është në frymën evropiane: "Liria e lëvizjes është një nga tri liritë themelore, mbi të cilat është krijuar dhe zhvilluar BE-ja. Me këtë marrëveshje ne vendosim për herë të parë mes dy vendeve një reagim të lirë të lëvizjes, pa detyrime, pa taksa, të çliruar nga çdo lloj burokracie, e njëjtë me normat dhe procedurat e BE-së". Qëndrime të ngjashme kishte dhe sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë, Igor Ilievski: "Bisedimet arritën të implementojnë qëndrimet e udhëheqësve politikë të dy vendeve për vendosjen e regjimit pa viza dhe përfaqësojnë një përparim domethënës për dy vendet, por dhe për të gjithë rajonin në aktivitet, drejt afrimit në BE dhe NATO", tha Ilievski. Regjimi i ri pa viza mes dy vendeve vjen si shprehje e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve, thanë zyrtarët e ministrive të Jashtme. Por kjo marrëveshje u arrit pas reagimeve të fuqishme, si në Maqedoni ashtu edhe në Shqipëri, kur Shkupi zyrtar tha se do të zbatonte një ligj për të huajt, i cili parashikonte që shtetasit shqiptarë do t‘i marrin vizat në ambasadë në Tiranë dhe sipas sistemit Shengen. Pala maqedonase, nga implementimi i këtij ligji për Shqipërinë, u tërhoq vetëm disa orë para se ai të hynte në fuqi. Marrëveshja do të heqë tërësisht vizat, por shtetasit e të dyja vendeve do të mund të qëndrojnë në vendin tjetër në një periudhë prej 90 ditësh. Sa u përket banorëve të zonave kufitare, në një distancë prej 20 kilometrash ata do të kenë të drejtë të udhëtojnë dhe kalojnë kufirin me leje të posaçme. Marrëveshja pritet të nënshkruhet gjatë vizitës së Kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, më 18 ose 19 shkurt në Tiranë. Vendimi i qeverisë së Shkupit për viza pranë ambasadës u anulua më 31 janar, pas një serie të gjatë kontaktesh dhe lufte mediatike në dy anët e kufirit. Aplikimi i rregullores së re, që parashihte ndërprerjen e dhënies së vizave në vendkalimet kufitare që duhej aplikuar nga 1 shkurti, u shty për 15 shkurt.
Dy ditë më parë, ishte vetë Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, i cili e quajti gabim ndërlikimin e procesit të vizave dhe për situatën e krijuar bëri fajtore qeverinë paraardhëse të së majtës. Mirëpo, qarqe politike dhe të opinionit publik shqiptar në Maqedoni, si dhe në Tiranë, e kanë cilësuar veprimin e fundit të Shkupit, si një tatim pulsi për të parë reagimin e shqiptarëve. Megjithatë, përveç opinionit publik shqiptar, reaguan edhe shtresa të tëra dhe grupe interesi në Maqedoni, të cilët e cilësuan vendimin të gabuar e që mund të dëmtonte ekonomikisht vetë Maqedoninë, e cila frekuentohet shumë për turizëm dhe biznes nga qytetarët e Shqipërisë.