E Diel, 1 Nëntor 2026

Sollaku rikthehet në Kushtetuese: Shkarkimi im, antiligjor

Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim dje kërkesën e bërë nga ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku për shkarkimin e tij nga detyra. Sipas ish-kryeprokurorit, dekreti i Presidentit të Republikës, Bamir Topi, dhe vendimi i Kuvendit nuk kanë qenë të bazuara në ligj. Shkelja e ligjit nga këto dy institucione kushtetuese ka detyruar ish-kreun e akuzës të ankohet në Gjykatën Kushtetuese. Para trupit gjykues, ish-kryeprokurori Sollaku është mbrojtur vetë, megjithëse në krah të tij ka pasur avokatin e mbrojtjes. Në fjalën e tij, Sollaku ka sjellë argumentet se procedurat ligjore dhe vendimmarrja e tyre nuk kanë qenë në përputhje me dispozitat ligjore dhe Kushtetutën. Sipas tij, janë shkelur afatet ligjore të kohës së nevojshme për t‘u përgatitur për mbrojtje, se nuk është njohur me asnjë nga faktet për të cilat akuzohej dhe se Kuvendi, e më pas Presidenti, kanë shkelur parimin e prezumimit të pafajësisë. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, dje vetëm sa kanë dëgjuar pretendimet e ish-kryeprokurorit Sollaku, ndërkaq vendimin pritet ta japin në një mbledhje tjetër. Pas seancës dëgjimore, Sollaku ka shprehur bindjen e tij, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të jetë në përputhje me ligjet në fuqi, pavarësisht se kryetari i këtij institucioni ka lidhje të hershme me partinë në pushtet. "Uroj që kryetari i gjykatës, Vladimir Kristo, të mos ndikohet politikisht në vendimin që do të marrë për këtë çështje", është shprehur ish-kryeprokurori Sollaku. Por, edhe në seancën e djeshme dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese, ish-kryeprokurori Sollaku ka pasur oponencën e Kuvendit dhe të Presidencës. Përfaqësuesit ligjorë të këtyre dy institucioneve, i kanë rrëzuar të gjitha pretendimet e bëra nga Sollaku, duke deklaruar se nuk është shkelur Kushtetuta gjatë procesit të shkarkimit të tij. Përfaqësuesit ligjorë të Kuvendit dhe Presidencës janë shprehur se këto dy institucione kanë zbatuar vetëm parimet kushtetuese dhe asgjë tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›