Berisha: "Ok" ambasadës japoneze në Tiranë
Kryeministri i Japonisë, Fukuda, i kërkon Kryeministrit Berisha hapjen e ambasadës japoneze në Tiranë. Sipas qeverisë japoneze,
hapja e ambasadës do të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e investimeve dhe tërheqjen e kompanive japoneze për të investuar në Shqipëri. Kryeministri Berisha i kërkoi homologut Fukuda që Japonia ta konsiderojë hapjen e ambasadës së saj në Shqipëri si inkurajim për investitorët japonezë dhe për të lehtësuar edhe më tej mundësitë e investimeve të tyre. Nga ana e tij, Kryeministri Fukuda u shpreh se do të inkurajojë investitorët e vendit të tij të përfitojnë nga potencialet e mëdha reale që ofron Shqipëria, veçanërisht në fushën e turizmit, të tekstileve. Kryeministri Fukuda i bëri të ditur Kryeministrit Berisha se qeveria japoneze do të japë një kredi të butë prej 12 miliardë jenësh për projektin e sistemit të kanalizimeve dhe përpunimit të ujërave të zeza në Tiranë, si dhe do të shqyrtojë mbështetjen e projekteve të tjera në energjetikë, arsim, në fushën e minierave dhe të mjedisit. Kryeministri ka vlerësuar ndihmën e madhe që qeveria japoneze i ka dhënë Shqipërisë në fusha të ndryshme, si në infrastrukturë, bujqësi, arsim dhe në fushën energjetike. Kryeministri vlerësoi gjithashtu edhe mbështetjen që Japonia ka dhënë për çështjen e Kosovës. Duke u ndalur në prodhimin e energjisë, Kryeministri Berisha tha për gazetarët se Shqipëria do t‘i shfrytëzojë të gjitha potencialet ujore dhe termike për ta prodhuar atë. "Shqipëria, u shpreh Kryeministri Berisha, synon të bëhet një nyje energjetike në rajon, duke u nisur dhe nga pozita e favorshme gjeografike që ka". Më tej, Kryeministri Berisha ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që Japonia i ka dhënë Shqipërisë në institucionet financiare ndërkombëtare, veçanërisht në kuadër të Bankës Botërore dhe Fondit Ndërkombëtar Monetar.