E Diel, 1 Nëntor 2026

Sallë e re pritjeje për Portin e Durrësit

Një fluks i konsiderueshëm emigrantësh pritet të zbarkojnë në Portin Detar të Durrësit, duke nisur që nga kjo fundjavë dhe deri në ditët e fundit të vitit. Pritja e këtij fluksi ka vënë në lëvizje autoritetet portuale për përballimin pa probleme të tij, për të larguar pakënaqësinë që rëndom emigrantët shqiptarë dhe ata kosovarë marrin teksa kthehen për pushime dhe festa në atdhe. Këtë vit është ngritur një ambient pritës që do t‘u mundësojë qëndrimin në salla pritjeje, një ambient të mbyllur, larg ndikimit të agjentëve atmosferikë. Kështu, emigrantët që presin të imbarkohen në tragetet e linjave detare që lidhin dy brigjet e Adriatikut do të kenë ku të qëndrojnë. Burime nga Autoriteti Portual Durrës bënë të ditur se ky fundviti gjen të instaluar në terminalin e trageteve një ambient, i cili do të jetë në funksion të udhëtarëve për periudhën në vazhdim. Vënia në përdorim e këtij ambienti është mundësuar nga fondet e brendshme të portit detar. Ambienti do të mbulojë përkohësisht nevojat për vendqëndrim të pasagjerëve, deri në përfundim të projektit për ndërtimin e terminalit të ri të pasagjerëve. Ndërkohë burime nga Komisariati i Policisë së Portit Detar të Durrësit thanë se me afrimin e fluksit do të vihen në funksionim të plotë 24 sportelet e shërbimit. Një funksionim i plotë i tyre ul deri në tre orë të gjithë procedurën e regjistrimit të udhëtarëve që hyjnë e dalin nga porti më i madh i vendit. Në përgjigje të fluksit të emigrantëve që pritet të arrijë kulmin në dhjetëditëshin e fundit të muajit dhjetor, edhe agjencitë detare kanë marrë masat për të shtuar numrin e trageteve të linjave Bari-Durrës dhe Ankona-Durrës, si dhe për të rritur numrin e prekjeve të tyre në kalata. Ndërkohë burime nga agjencitë e lundrimit thanë se vendet në shumë tragete janë prenotuar që gjatë muajit nëntor dhe fillimit të këtij muaji. Por për të shmangur problemet e përvitshme me prerjen e biletave të kthimit, gjithnjë e më shumë emigrantët kanë nisur të prenotojnë paraprakisht bileta udhëtimi vajtje-ardhje pavarësisht se ato u kushtëzojnë kohë qëndrimi pranë familjarëve të tyre. 40 milionë euro janë akorduar nga BERZH-i dhe BEI-ja për ndërtimin e terminalit të pasagjerëve dhe sheshet përreth tij, investim ky që synon modernizimin e Portit të Durrësit dhe sigurimin kapaciteteve dhe standardeve të nevojshme për mijëra shqiptarë dhe të huaj që lëvizin nga ky port. Investimi konsiston jo vetëm në ndërtimin e terminalit dhe infrastrukturës mbështetëse, po dhe në punime të tjera për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për pasagjerët. Terminali do të ketë një sipërfaqe prej 5,400 metrash katrorë, si dhe hapësira parkimi për automjetet, bar, restorant, ambiente pritje, akses interneti etj. Është parashikuar të ketë dhe lidhje direkte me stacionin e trenit në qytetin e Durrësit, duke siguruar më shumë lehtësi për të gjithë udhëtarët që përdorin linjat hekurudhore si mjet transporti për të mbërritur në vendet ku banojnë dhe anasjelltas në Durrës. Deri në përfundim të zbatimit të këtij projekti ambicioz, pasagjerët do të mjaftohen me ambientet e reja të pritjes së terminalit e trageteve të Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›