Korçë, i ftohti polar shkon deri në -15 gradë
Korça ngrin nga të ftohtët e hidhur të dimrit të sivjetshëm. Qyteti që deri më tani kishte parë vetëm pak ditë me dëborë po përjeton të ftohtin e hidhur me temperatura frigoriferike, ndërsa pika më e ftohtë, Sheqerasi, ka regjistruar në mëngjes temperaturën -15 gradë. Temperaturat e ulëta nën zero kanë shoqëruar gjatë gjithë ditës bashkë me erën e fortë juglindjen e vendit. Akset rrugore janë gdhirë të ngrira nga akulli dhe cipat e krijuara nga dëbora e një dite më parë, ndërsa vështirësitë kanë qenë të mëdha për qarkullimin rrugor dhe mjetet në orët e mëngjesit. Në qytetin e Korçës është nevojitur kriposja e rrugëve për të shkrirë shtresat mbi asfalt, ndërsa nëpër trotuare janë vendosur punonjësit e Drejtorisë së Rrugëve për të hedhur kripë në to për këmbësorët, të cilët rrezikonin nga kalimi mbi akull. Asket nacionale kanë qenë në mëngjes të gjitha të hapura nga dëbora, por të pamundura për t‘u kaluar pa përdorimin e zinxhirëve. Temperaturat që janë regjistruar në mëngjes kanë qenë nga -12 deri në maksimalen -4. Sipas të dhënave nga ana e Drejtorisë së Rrugëve nacionale të gjitha akset kanë qenë të hapura, por për shkak të ngricës problem janë paraqitur në aksin që lidh Korçën dhe Kolonjën. Qafa e Qarrit ka qenë më e vështira për t‘u kaluar, edhe pse me zinxhirë, pasi për shkak të erës së fortë dëbora është grumbulluar mbi rrugë, duke iu shtuar shtresave të akullit të ngrirë gjatë natës. Edhe pse reshjet nuk kanë vazhduar, situata vazhdon të jetë e rënduar. Sipas Drejtorisë së Rrugëve me përjashtim të këtij aksi të gjitha të tjerat janë kaluar pa shumë vështirësi. Kështu, rruga drejt Voskopojës është pastruar nga dëbora nëpërmjet borëpastrueseve, ndërsa përgjatë gjithë aksit drejt Kolonjës mjete borëpastruese kanë patrulluar gjatë gjithë ditës bashkë me ato të kriposjes. Nga ana tjetër, zonat e thella rurale vazhdojnë të jenë të bllokuara nga dëbora. Dardha, Vithkuqi, Panariti dhe Shtylla janë ende të bllokuara nga 50 centimetra borë, ndërsa banorët nuk kanë asnjë mundësi lëvizjeve dhe komunikimi nëpërmjet rrugëve. Nga ana e Drejtorisë së Rrugëve janë marrë masa që gjatë orëve të para të mëngjesit për këto zona, ndërsa deklarohet se për shkak të temperaturave të ulëta dhe dëborës që ka arritur një trashësi të madhe është e pamundur që këto akse rurale të zhbllokohen përfundimisht. Nga ana e tyre, edhe komunat kanë kërkuar ndihmë në mjete për të bërë pastrimin e këtyre zonave malore. Ndërsa në fshatrat e thella situata është e njëjtë, edhe në qytet temperaturat e ulëta dhe ngricat janë prezente mbi asfalt dhe trotuare. Në urgjencën e spitalit janë regjistruar vetëm dy raste me shembje, për shkak të rrëzimit të qytetarëve. Dy të moshuar i janë drejtuar urgjencës, pasi si këmbësorë kanë pësuar fraktura dhe dëmtime nga rrëzimi në rrugë. Dita e diel ka qenë edhe dita më e ftohtë e dimrit të sivjetshëm që është shënuar në qytetin e Korçës, e cila është prekur nga dëbora pas një muaji. Edhe pse këtë vit dimri ka qenë i butë, duket se muaji shkurt do të shënojë edhe pikun e këtij dimri me reshje dëbore, ngrica, temperatura të ulëta dhe erëra të forta.