E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri në kapanon, shkrumbohet 3-vjeçarja

Një zjarr ka përfshirë një kapanon në fshatin Zhamë të rrethit të Lushnjës, i cili kishte vite që ishte përshtatur për banim. Ndërsa flakët e zjarrit, brenda pak minutash kanë përfshirë gjithë ndërtesën, më shumë se 4 familje janë dëmtuar. Një 3- vjeçare humbi jetën dhe shumë banorë të tjerë të kaparonit janë rrezikuar. Policia e Lushnjës, e cila ka qenë menjëherë pas sinjalizimit në vendin e ngjarjes, është shprehur se shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike, ndërkohë që nuk hedh poshtë edhe mundësinë e ndonjë sobe të ndezur.

Zjarri ka shkaktuar vdekjen e një 3-vjeçareje dhe lëndoi me plagë më të lehta shumë të tjerë. Zjarri ka rënë rreth orës 17:00. Ai ka përfshirë me gjuhët e tij një kapanon, që ndodhet në fshatin Zhamë të Komunës Dushk, rrethi Lushnjë. Sipas burimeve policore, mësohet se edhe pse ndërhyrja e uniformave blu ka qenë e menjëhershme nuk është bërë i mundur lokalizimi i zjarrit shumë shpejt, për faktin e vetëm të materialit me të cilin ishte ndërtuar kapanoni i kthyer në banesa.

Sipas burimeve policore të Komisariatit të Lushnjës, bëhet e ditur se ka humbur jetën pothuajse e djegur 3-vjeçarja Bruna Hekurani. Mësohet se ajo ka qenë e vetme në shtëpi, ndërsa nëna e saj ishte duke blerë ushqime në një dyqan shumë pranë banesës. Nëna ka qenë e para që ka parë flakët e zjarrit dhe ndërsa tentonte për të hyrë në ndërtesë nuk është lejuar nga fqinjët, të cilët kishin mundur të dilnin nga banesat e tyre. Dy automjete zjarrfikëse kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Forcat e shpëtimit, të mbështetura edhe nga policia, kanë bërë evidentimin e të gjithë banorëve të katër shtëpive që ishin përshtatur në kapanon dhe kanë verifikuar mungesën e vogëlushes trevjeçare. Për më shumë se 30 minuta flakët janë izoluar dhe trupi i Bruna Beharit është gjetur pothuajse i shkrumbuar. Ndërsa viktima është çuar në morgun e spitalit, katër të lënduar të tjerë janë dërguar për të marrë ndihmë mjekësore. Burimet zyrtare nga Policia e Lushnjës konfirmojnë për gazetën "Shqip" se pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe dëshmive okulare të marra prej andej, del se shkak më i mundshëm i këtij zjarri me pasojë ka qenë shkëndija elektrike. Po burimet zyrtare bëjnë të ditur se banorët e rrezikuar, por dhe të gjithë zonës kanë thënë për policinë se përgjatë ditës së diel janë shënuar luhatje të shumta tensioni në energji që ka furnizuar fshatin. Madje, është rrezikuar nga kjo luhatje e vazhdueshme e tensionit i gjithë fshati. Dëmet që shkaktoi ky zjarr ishin të mëdha, për të nxjerrë një pistë të qartë hetimi për shkakun e rënies së zjarrit. Burimet policore pohojnë gjithashtu se mund të ketë qenë edhe ndonjë sobë e ndezur, por për këtë pistë ende nuk ka prova. Kapanoni, i cili është kthyer në shtëpi banimi pas viteve 1990, është i mbuluar ende me material ternit, i cili favorizon zjarrin, ndërkohë që ndërtesa shumë e vjetër dhe në disa vende e mbuluar edhe me zjarr ka qenë një faktor më shumë për të shtuar flakët. Një banesë është përfshirë nga flakët e një zjarri orët e paradites së diel në Fier. Policia dhe forcat e shpëtimit kanë bërë evakuimin e banorëve, ndërsa u është dashur më shumë se 1 orë e 30 minuta përpjekje për të lokalizuar flakët. Një banesë në lagjen "1 Maji" të qytetit të Fierit është përfshirë nga flakët. Ka qenë ora rreth 08:10 e mëngjesit kur janë parë flakët të shpërthejnë nga dritarja e banesës dykatëshe, shumë pranë shkollës së sistemit 9-vjeçar "Janaq Kilica". Sipas burimeve, nga vendi i ngjarjes konfirmohet se vala e zjarrit si fillim ka përfshirë sallonin e banesës së 60-vjeçarit Ramiz Alia dhe më pas ato janë përhapur edhe në mjediset e tjera të shtëpisë. Ndërsa më të rinjtë e familjes dolën, më të vështirë e kanë pasur të moshuarit Ramiz Alia dhe bashkëshortja e tij. Këta të dy janë nxjerrë nga fqinjët, ndërsa ishin duke fjetur dhe pasi kanë vënë re zjarrin e kishin të pamundur kapërcimin e flakëve që u kishin zënë derën e dhomës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›