Poeti që vdes qiellin në hon!
Dhimitër Pojanaku ka lindur në Pogradec. Është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Tiranës, aktualisht punon gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec. Ka botuar vëllimet poetike: "Shiu lexon trishtimin tim", "Mëngjes dhe pak natë", "Xhindet kërcejnë polka". Vëllimit poetik "Gurët zbardhin natën", botuar në vitin 2002, i është akorduar çmimi "Penda e argjendtë", si libri më i mirë i vitit. Pojanaku është laureat i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Në vitin 2005, për poezinë e veçantë i akordohet titulli "Qytetar nderi i Pogradecit". Tani ka në proces krijimi vëllimin poetik "Qielli vdes në hon".
Rrasorja e gjyqtarit a mund të simbolizojë edhe një vëllim shpirtëror të tipit Pojanaku?
Ajo nuk mund të ndodhë kurrë! Poezia dhe profesioni janë të ndara me thikë tek unë. Dhe këtë duket e ka bërë diçka mbinjerëzore. Unë i jap poezisë nga gjyqësori aq sa i duhet, dhe anasjelltas. Pra, profesioni më jep fjalën e shkurtër, të ngjeshur dhe poezia i jep profesionit ndjeshmërinë, që besoj duhet gjithmonë!
Mendoni se është e lindur poezia te ju?
Po. Nuk ka si të jetë ndryshe. Ndryshe nuk do t‘i mbaja poezitë e mia të gjitha përmendësh. Shumë miq e mikesha të poezisë sime nuk do të recitonin tavolinave poezitë e mia. Ndryshe nuk flitet për poet.
Ju pëlqen ironia?!
Për mua ironia tregon mençurinë e njeriut, sidomos kur ajo është e hollë dhe në vendin e duhur. Edhe kur drejtohet kundër meje, ata që bëjnë një ironi të tillë i zë miq.
Ǒmendoni për thënien "poeti i madh"?
Nuk thuhet poetë të mëdhenj dhe poetë të vegjël. Të gjithë kanë poezi në shpirt. Poetët kanë misionin ta hedhin në letër. Pastaj koha, si një mjeshtre e madhe, vulos gjithçka. Pastaj, tekefundit, kush nuk donte të linte një emër?!
Kam dëgjuar se bëni SMS shumë të hidhura. Të jetë e vërtetë?!
Të hidhura (qesh)! E vërteta është se në SMS-të e mia nuk mund t‘i shpëtoj dot shpirtit tim poetik, i cili është dhe rebel. E keqja këtu është që miqtë e mi, nga dëshira besoj, m‘i shpërndajnë si suvenire.
Keni shumë poezi për vdekjen. Ǒju lidh me të?
A nuk është pjesë e jetës?! A nuk ndodh që përditë gëzimi ndërron vend me dhimbjen e dhimbja me gëzimin?! A nuk është diçka e pandashme? Ndaj te poezitë e mia jeta dhe vdekja zënë secila vendin e vet. Ashtu si më vjen magjia nga lart.
Ju keni lindur dhe jetoni buzë liqenit të Ohrit në Pogradec. Atij liqeni që i ka kënduar me aq ëndje Lasgushi. Përse në poezitë tuaja zë vend gjithkund deti?
Sepse më magjeps. Sepse është pafund dhe paanë, ushqim dhe dritë për shpirtin dhe syrin tim. Kam faj?!
Më thoni poezinë tuaj më tronditëse?
Ndoshta është "Zhvirgjërimi i murgut", ndoshta "Vdekja qorton portretin", ndoshta "Njëzet vejushat", pastaj... Po sikur të pyesnit lexuesit e mi dhe të më lehtësonin nga kjo brengë?!
Kam dëgjuar se jeni i sertë, hera-herës shpërfillës?
Kjo më ndodh kur më kapin kapriçiot e poetit, por dhe atëherë, meqenëse miqtë nuk më braktisin, e serta dhe shpërfillja ime do kenë patjetër nota lirike brenda vetes.
Keni bërë ndonjëherë duel?
Nëse dueli do më sillte ndonjë çmim poetik, të cilat nuk e di ç‘më ka gjetur t‘i lakmoj kaq shpesh, edhe mund ta pranoja duelin. Me kusht, që ta zgjedh vet llojin e armës.
Dorëshkrimi juaj i fundit është, me sa dimë, "Qielli vdes në hon". Përse?
Nuk e kam ditur dhe ende nuk e di. Mbase është dëshira e çdonjërit për të rrokur të pamundurën.