Kushtetuesja shqyrton rrëzimin e "gjobave"
Biznesi duket se nuk ka ndër mend të dorëzohet përballë vullnetit të qeverisë, për ta detyruar atë që të paguajë gjobat e tatimorëve përpara se të shkojë në gjykatë. Gjykata Kushtetuese ka nisur zyrtarisht shqyrtimin e kërkesës së biznesit për të shfuqizuar ligjin e gjobave, e më konkretisht nenin 43 të tij, që e detyron biznesin të paguajë 15 për qind të gjobës pa pasur mundësi paraprake ankimimi në gjykatë. Përfaqësuesi ligjor i biznesit, Krenar Loloçi, ka paraqitur përpara anëtarëve të gjykatës argumentet që sipas biznesit e bëjnë këtë ligj antikushtetues. "Shteti nuk mund të vjelë një gjobë pa vërtetuar më parë ligjshmërinë e saj, gjë që mund të bëhet vetëm përmes një rruge gjyqësore. Në të kundërt, ky është një cenim i së drejtës së pronës", tha Loloçi. Por pretendimet e biznesit kundërshtohen nga qeveria. Marsida Xhafellari, juristja e Këshillit të Ministrave, thotë se ligji nuk cenon të drejtat e biznesit dhe nuk cenon të drejtën e pronës. "Duhet të ndajmë shpronësimin nga gjoba, pasi vetëm në rastin e parë kemi të bëjmë me cenim të së drejtës së pronës", tha Xhafellari.
Neni 43
Pika më e nxehtë e debatit ka qenë pikërisht neni i shumëpërfolur 43 i ligjit për procedurat, apo ligjit të gjobave, siç është pagëzuar ndryshe. Neni 43 i jep të drejtën shtetit që të vjelë 15 për qind të gjobës së një biznesi para se ky i fundit ta ankimojë atë në gjykatë. Gjobat vendosen nga inspektorët e administratës tatimore kur këta të fundit dyshojnë se një biznes ka fshehur taksat. Biznesi thotë se ky nen është antikushtetues, pasi ai bie në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës. Neni 41 përcakton qartë se "ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publike. "Gjoba nuk është interes publik. Ligjet në fuqi përcaktojnë qartë se cilat detyrime tatimore janë pjesë e interesit publik, pasi përmes tyre bëhet buxheti i shtetit që garanton investimet publike", tha Loloçi. Sipas tij, janë detyrimet tatimore ato që garantojnë interesin publik dhe jo gjobat dhe kamatëvonesat. Por qeveria thotë se neni 43 është plotësisht kushtetues dhe qëllimi i tij është të mbrojë interesat e publikut të gjerë nëpërmjet mbledhjes së të ardhurave në buxhet. "Gjobat janë si tatimet. Ato shkojnë në buxhet dhe janë të detyrueshme për t‘u paguar", tha Xhafellari. Ndërsa biznesi e ka kundërshtuar këtë. Kërkesa për shfuqizimin e ligjit të gjobave është bërë nga 7 shoqatat më të fuqishme të biznesit në vend, përveç Dhomës Publike të Tregtisë. Ligji i gjobave u miratua në prill të vitit të kaluar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Nismëtarja e këtij ligji ishte qeveria, e cila e ka justifikuar atë me nivelin e lartë të evazionit në vend.