E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli u "tërheq" veshin komisioneve

Zvarritja e punës në komisionet parlamentare ka detyruar Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, të reagojë ashpër. Ajo ka mbledhur dje në mënyrë urgjente rreth orës 9:30 të gjithë kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare. Burime nga takimi bëjnë të ditur se Kryetarja Topalli u ka kërkuar drejtuesve të komisioneve që të punojnë intensivisht për miratimin e projektligjeve që ata kanë në tryezat e punës, pasi zvarritja e tyre ka sjellë bllokimin e punës së Kuvendit për disa javë me radhë. Kryetarja e Parlamentit u ka bërë të ditur krerëve të komisioneve që të punojnë edhe me orë të zgjatura nëse do të jetë nevoja, me qëllim që ata të arrijnë në kohë diskutimin dhe kalimin e projektligjeve, të cilat duhet të paraqiten në seancë për votim. Duke iu kujtuar kalendarin paraprak për tre javët e shkuara dhe javët në vijim, Topalli u ka bërë të ditur drejtuesve të komisioneve se deri më tani nuk është kaluar asnjë projektligj nga komisionet për të vijuar më tej rrugën e tyre normale në Parlament. Vlen për të theksuar se ka më shumë se katër a pesë javë që seancat parlamentare mbyllen menjëherë pas diskutimit të lirë që zgjat për gati 60 minuta. Pas këtij diskutimi miratohet procesverbali i seancës së kaluar dhe kalendari i punimeve, e më pas pjesa më e madhe e projektligjeve që janë në rendin e ditës për votim, duke përjashtuar marrëveshjet që shtyhen për në seancën e ardhshme. Shkak i kësaj shtyrjeje nga procesi i votimit është se këto projektligje nuk janë diskutuar dhe miratuar ende nga komisionet parlamentare. Në tryezat e punës së komisioneve parlamentare ka mjaft projektligje të rëndësishme, miratimi i të cilave po zvarritet nga njëra seancë në tjetrën, siç është projektligji për shfuqizimin e Ligjit 7501 për pronat, projektligji për përgjimet, projektligji për legalizimet etj. Ngadalësimi i punës ka vënë në dyshim pikërisht rendimentin e deputetëve, të cilët nuk kryejnë as punët më normale që ka detyrë legjislativi: pikërisht shqyrtimin dhe miratimin e ligjeve që sjell Këshilli i Ministrave, por edhe institucionet e tjera. Që prej nisjes së sesionit të ri në fillim të janarit, ritmi i punimeve parlamentare ka qenë mjaft i ngadalshëm, gjë që ka vënë në alarm kreun e Kuvendit. Në fakt, një pjesë të mirë të peshës parlamentare gjatë dy muajve deputetëve u ka marrë diskutimi i reformës në drejtësi, e cila ende nuk ka përfunduar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›