Prej 1 janarit, paga minimale 16 mijë lekë
Duke filluar nga 1 janari i këtij viti, paga minimale në Shqipëri do të jetë 15% më e lartë. Një punonjës, i cili më parë paguhej 14 mijë lekë, tashmë do të paguhet 16 mijë lekë në muaj. Qeveria ka zyrtarizuar dje vendimin për rritjen e pagës minimale, duke e çuar atë në nivelin 16 mijë lekë në muaj. Kryeministri Berisha e argumentoi këtë masë si të domosdoshme dhe që reflekton zhvillimin e ekonomisë. Kryeministri theksoi se rritja e pagës minimale shkon me rritjen e vendit në tërësi dhe nuk përbën asnjë ngarkesë mbi biznesin. "Ne nuk duhet të mendojmë vetëm për pronarët, por edhe për punonjësit. Nga njëra anë duhet t‘u krijojmë barrën më të lehtë fiskale pronarëve, por nga ana tjetër, të vendosim standardet botërore, të cilat nuk i krijojmë ne, por i respektojmë", tha Berisha. Qeveria u përpoq të rriste pagën minimale në nivelin 16 mijë lekë që në gjysmën e parë të vitit të kaluar, madje për këtë mori edhe vendim përkatës. Por financat u detyruan të tërhiqeshin nga zbatimi i tij për shkak të kundërshtimeve të forta që erdhën nga disa grupime biznesesh, kryesisht ato që punojnë me material porositës. Vendimi për rritjen e pagës minimale u propozua nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Duke iu referuar relacionit të këtij vendimi, Ministria e Punës e ka mbështetur propozimin e vet bazuar në studimin e miratuar për pagat minimale sipas sektorëve të ekonomisë, dhe sipas vendimit të miratuar është e detyrueshme zbatimi i pagës minimale nga çdo person juridik a fizik, vendas ose i huaj, në masën e 16000 lekëve në muaj nga 14000 lekë në muaj që është aktualisht. Këshilli i Ministrave e ka cilësuar pagën bazë minimale prej 16 mijë lekësh në muaj si më të madhe se minimumi jetik për një të punësuar. Sipas sistemit të pagave të punonjësve mbështetës, mbi pagën bazë jepen shtesa për vështirësi, sëmundje, natyrë të veçantë pune, vjetërsi në punë etj., të cilat shkojnë mesatarisht 60% mbi pagën bazë për punonjësit mbështetës të institucioneve të varësisë dhe 43% mbi pagën bazë për punonjësit mbështetës të institucioneve qendrore. Duke llogaritur këto shtesa, paga minimale në sektorin shtetëror shkon mesatarisht në rreth 24 mijë lekë në muaj. Është parashikuar edhe paga orare në masën 92 lekë, me qëllim që të mbrohen më mirë punonjësit që punojnë me kohë të pjesshme, ose jashtë kohës normale të punës. Në sektorin buxhetor paguhen me pagë minimale 6700 punonjës ose rreth 6% e punonjësve buxhetorë dhe rritja e pagës minimale në masën e 16000 lekëve për këtë kategori ka filluar që në 1 korrik 2007, ndërkohë që me miratimin e vendimit të djeshëm, për sektorin privat rritja fillon nga 1 janari 2008.
Në sektorin publik dhe veçanërisht atë buxhetor, caktimi i pagës minimale ka ndikim në sistemin e pagave, por me vendosjen e sistemit të pagave sipas strukturës së shërbimit civil për të gjithë administratën publike, është ulur ndjeshëm ndikimi që ka rritja e pagës minimale në nivelet e tjera të pagave, duke krijuar fleksibilitet më të madh në përcaktimin e pagës minimale.