Lampard: Dua ta mbyll karrierën te Çelsi
Frenk Lampard është i gatshëm të lidhet me Çelsin deri në fund të karrierës si profesionist. Mesfushori i Kombëtares angleze ka pranuar se dëshiron të luajë në "Stemford Brixh" edhe për "gjashtë ose shtatë vjet të tjera". 29-vjeçari ka edhe 18 muaj kohë përpara datës së skadencës së kontratës, e për momentin bisedat për një marrëveshje të re kanë mbetur pezull prej shumë javësh. Gjithsesi, Lampard ka pranuar se është i dashuruar me klubin londinez dhe pohimi i tij duhet të qetësojë trajnerin Avram Grant, që në ditët e para të punësimit rrezikonte të përballej me largimin e disa prej yjeve. Ish-lojtari i Uest-Hemit është bërë pjesë e Çelsit në vitin 2001 dhe me Hoze Murinjon si trajner ka fituar 2 tituj kampionë në Premiership, si edhe FA Cup dhe Kupën e Ligës. "Dëshiroj të bëj vetëm një gjë dhe ajo është të qëndroj në këtë klub deri në fund të karrierës", deklaroi Lampard për "London Evening Standard". "Në një shkallë nga njëshi deri te dhjeta, rëndësia që ka për mua Çelsi është dhjetë dhe këto nuk janë fjalë boshe. Në jetën time primare është familja dhe menjëherë pas saj vjen Çelsi. Mendoj se në asnjë skuadër tjetër ku mund të vete nuk do të gjej dashurinë që më dhanë tifozët e Çelsit. Ndihem shumë i lidhur me klubin dhe dëshiroj të qëndroj këtu edhe për gjashtë apo shtatë vjet të tjera". Lampard, i cili ka shënuar 99 gola me blutë, nuk ka ndërmend që të flasë me shefin ekzekutiv, Piter Kenion, rreth kontratës së re, pasi kërkon të jetë i përqendruar në lojën e tij dhe të ndihmojë skuadrën në objektivin për të fituar sa më shumë tituj. "Që prej momentit kur unë dhe klubi vendosëm të mos i vazhdonim bisedimet deri në fund të sezonit, asgjë nuk ka ndryshuar, vazhdoi mesfushori. Nuk dua që tifozët të mendojnë se ky pezullim i bisedave është krisje, pasi unë kërkoj me çdo kusht që të firmos kontratën e re. Synoj të luaj deri në moshën 35-vjeçare dhe të jem pjesë e historisë së Çelsit, por më parë duhet të fokusohemi te objektivat që skuadra ka në këtë edicion".