Ançeloti "ngrin" Flamengon: Ronaldo qëndron këtu
"Ronaldo nuk ka kërkuar që të largohet nga Milani". Pas zërave të shumtë që vinin nga Brazili për të ardhmen e sulmuesit të Milanit, trajneri Karlo Ançeloti ka preferuar të flasë "pa doreza" në konferencën e parë për shtyp në vitin 2008. "Nuk mund të flitet për transferimin e mundshëm të Ronaldos te Flamengo. Ky është një opsion që ka lindur në Brazil, por që nuk përputhet me dëshirat e lojtarit. Si trajner i Milanit shpresoj që lojtari të stërvitet sa më shpejt që të jetë e mundur me topin. E presim, pasi mendojmë se mund të japë shumë për skuadrën". Sulmuesi brazilian është bashkuar me 26 futbollistë të tjerë në Dubai, ku kuqezinjtë po zhvillojnë fazën përgatitore, madje duke zhvilluar edhe pjesën e parë të stërvitjes. Më pas ai ka vazhduar i diferencuar përkrah Inzagit dhe në fund ka ndjekur nga pankina ndeshjen brenda skuadrës. Milani po stërvitet në stadiumin "Al Maktoum" të Dubait, ndërkohë që mungesa e vetme është ajo e Sedorf, i dëmtuar në derbin me Interin.