E Diel, 1 Nëntor 2026

Marçelo Lipi, ëndrra e re e Bajernit

Skuadra e Bajernit të Mynihut po bëhet gati të ndryshojë trajnerin e saj, pasi ka mësuar se Otmar Hitzfeld do të largohet në qershor. Drejtuesit e klubit bavarez janë vënë menjëherë në ndjekje të një emri të njohur që do të marrë drejtimin e ekipit në sezonin e ardhshëm, ku synohet jo vetëm dominimi në kampionatin gjerman, por edhe afirmimi në Ligën e Kampioneve. Për të pasur një sukses të sigurt dhe për të ndërtuar një cikël fitimtar, bavarezët duket se janë të gatshëm t‘i besojnë gjithçka Marçelo Lipit, trajnerit që udhëhoqi Italinë drejt titullit kampion bote. Ai është aktualisht pa punë dhe po kërkon një projekt që ta bindë më shumë në anën sportive, se sa në atë financiare, ndaj marrëveshja mes palëve mund të realizohet që para largimit të Hitzfeld.

Lamtumira e parashikuar e trajnerit gjerman ka bërë që skuadra të përfshihet nga kaosi edhe për faktin se kishte qenë Hitzfeld ai që kishte "gatuar" ndryshimet në klub në fillimin e këtij edicioni, duke detyruar drejtuesit që të investonin në merkato për të afruar emra të njohur. Bavarezëve tashmë do t‘u duhet një trajner që i njeh mirë lojtarët e kontingjentin aktual dhe që ka aftësi të përshtatë formacionin në bazë të kundërshtarëve. "Identikiti" i mësipërm i përshtatet më së miri italianit Marçelo Lipi. Ai ka dhënë prova me Juventusin e Italinë se mund të ndërtojë një cikël fitimtar, si në kampionatin vendas, ashtu edhe në Evropë, pa harruar që ka vërtetuar aftësitë e tij si strateg me suksesin në Botëror. Lipi ka bërë të ditur se është në kërkim të një skuadre të njohur dhe një projekti cilësor, për të pasur një rol prej protagonisti në arenën evropiane. Por nuk janë të shumta skuadrat që mund t‘ia krijojnë këtë mundësi atij, pasi emrat e mëdhenj si Milani, Interi, Juventusi, Reali i Madridit, Arsenali apo Mançester Junajtid janë më se të lumtur për trajnerët që kanë. Dy alternativat e vetme mbeten Liverpuli dhe Barcelona, por në të dyja rastet është Hoze Murinjo i preferuari i drejtuesve të skuadrave nëse largohen Benitez apo Rajkard. Si rrjedhojë, Lipi mund të pranojë ofertën e Bajernit të Mynihut, pasi e sheh atë si një prej skuadrave më të mëdha të Evropës, e aftë të dominojë në kampionatin gjerman dhe shfaqë një nivel më të lartë në Ligën e Kampioneve. Raportet e italianit me Bekenbauer dhe Rumenige janë të shkëlqyera, ndërsa ai njeh mirë edhe lojtarët që kanë aktualisht në kontingjent bavarezët. Ndonëse Hitzfeld mund të largohet në qershor, nuk është e thënë që të mos nënshkruhet që tani një parakontratë me italianin. Megjithatë, Bajerni i Mynihut po sheh edhe pistat e tjera, pasi Klinsman, Van Gal, Hidink apo edhe Benitez, do të pranonin ta drejtonin këtë skuadër nëse do të gjendeshin pa punë në fillimin e sezonit të ardhshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›