E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, në krye të Tiranës Dhori Kule

Kanë përfunduar zgjedhjet për autoritetet drejtuese të universiteteve. Dhori Kule është rektor i ri i Universitetit të Tiranës, duke mundur në këtë garë, Llukan Pukën dhe Bardhyl Çekun. Shezai Rrokaj në këto zgjedhje u shpall dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Ndërsa, në një fakultet

tjetër, ku gara ishte mjaft e ashpër, te Mjekësia, fitues është shpallur Alfred Priftnjari, shef i Klinikës së Alergologjisë. Duke u hedhur në një universitet tjetër të madh mësohet se fitues i Universitetit Politeknik, është Jorgaq Kaçani. Ai zëvendëson në këtë post ish-rektorin Përparim Hoxha, i cili mbrëmë u shpall dekan i Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave. Po në Tiranë mësohet se nga numërimi i votave është rektor i ri i Institutit të Fizkulturës, Vejsel Rizvanolli. Në Akademinë e Arteve fitoi zgjedhjet për postin e rektorit, Petrit Malaj. Në Universitetin Bujqësor të Kamzës, në postin e rektorit u shpall fitues Fatos Harizaj, ish-këshilltar i Berishës në vitin 1994.

Ndërkohë në universitetet e rretheve u shpallën mbrëmë rezultatet në Elbasan, Gjirokastër dhe Vlorë. Në Shkodër, procesi i numërimit të votimit ka filluar me vonesë, ndaj rezultatet pritet të dalin sot. Në qytetin e Korçës janë në balotazh dy kandidatë, Gjergji Mero që ka marrë 32.29 për qind të votave dhe Bashkim Jahollari me 24.6 për qind të votave. Kështu, në Korçë do të zhvillohen sërish zgjedhje, pasi asnjëri nga kandidatët nuk e kapi pragun e 50 përqindëshit.

Risi ka qenë Universiteti i Durrësit, ku nuk u zhvillua procesi zgjedhor, pasi Ministria e Arsimit ka deklaruar se ky është një universitet i ri i pakonsoliduar.

Procesi i votimit në fakultete dje ka vijuar normalisht. Mijëra studentë, profesorë dhe punonjës të administratës kanë shfaqur interes për të hedhur votën për dekanin dhe rektorin e ri. Po kështu dje, ata kanë votuar edhe për anëtarët e senatit, këshillin e fakultetit dhe shefat e departamenteve. Në Universitetin e Tiranës kutitë e votimit kanë qëndruar të hapura deri në orën 17:00 sepse ka pasur ende studentë në radhë për të votuar në orën 16:00, kur ishte planifikuar mbyllja e kutive. Ndërkohë, në Universitetin Politeknik është vënë re se interesi për të votuar ka qenë më i vogël, ku deri në mesditë te Gjeologji-Minierat kishin votuar vetëm 20 për qind e studentëve.

Edhe tek Akademia e Arteve apo tek Instituti i Fizkulturës, procesi ka vijuar normalisht. Normalitetin, në zhvillimin e procesit zgjedhor e pohojnë edhe autoritetet. Kështu, kreu i Komisionit Zgjedhor të UT-së, Enver Roshi, u shpreh për "Shqip" se procesi ka qenë më se normal në të gjitha fakultetet. Sipas tij, i vetmi problem, nëse mund të quhet i tillë, është se në listat zgjedhore ka pasur mungesë të disa emrave, që më tej janë verifikuar dhe studentët janë lejuar të votojnë.

Për sa i përket numrit të votave, komisionet janë mbledhur dhe kanë marrë në dorëzim kutitë e vulosura, nën monitorimin e autoriteteve të fakulteteve dhe përfaqësuesve të shtabeve elektorale të kandidatëve për dekan edhe rektor. Garë të mirëfilltë ka pasur vetëm në Fakultetin e Mjekësisë dhe atë të Shkencave të Natyrës në UT. Në 6 fakultete të tjera dekanët kanë qenë konsensual, pra me kandidaturë të vetme. Në fletën e votimit, studentët e këtyre fakulteteve kanë pasur vetëm një alternativë zgjedhjeje për drejtues fakulteti. Krejt ndryshe ka ndodhur me fletën e votimit për rektor. Kanë qenë plot katër kandidatë tek Universiteti i Tiranës dhe katër tek Universiteti Politeknik. Pra, një konkurrencë e fortë për drejtues universiteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›