Ligji antiduhan, "dhuratat" e dhjetorit, gjoba për biznesin
Me mbledhjen e fuqive dhe rakordimin mes Shëndetit Publik dhe policisë bashkiake janë shtuar edhe gjobat e vendosura për shkeljen e ligjit "për mbrojtjen ndaj produkteve të duhanit". Inspektorati Sanitar Shtetëror në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, gjatë kontrolleve të ushtruara deri të dielën, në kuadër të zbatimit të ligjit antiduhan, kanë gjobitur 35 subjekte private. Këto penalizime, e çojnë në 92 numrin e gjobave për muajin dhjetor. Gjatë këtij muaji, në mënyrë të veçantë javën e kaluar, inspektorët e ligjit kanë qenë për kontrolle të përsëritura në zonën qendrore të qytetit, por pa lënë pas edhe zonën periferike. Disa nga lokalet dhe baret, në këto kushte kanë qenë të detyruar të nisin edhe një herë zbatimin e ligjit dhe mosneglizhencën e tij. Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve të penalizuara për zbatimin e ligjit kundër duhanit, që të shlyejnë sa më parë detyrimet, pasi po aplikohet gjoba me kamatëvonesë. Ky dikaster, në kuadër të masave për zbatimin e këtij ligji, ka vendosur mosmiratimin e përsëritjes së lejes higjieno-sanitare, për të gjitha ato subjekte që nuk do t‘i paguajnë gjobat, deri në fund të këtij muaji. Ndërkaq, shëndetësia ka njoftuar se shumë shpejt veç numrave fiks ka vendosur në dispozicion një numër të gjelbër, pa pagesë, për të denoncuar abuzimet me ligjin, si dhe do të japë asistencë teknike për të ndihmuar duhanpirësit për të lënë duhanin.
Në muajin janar pritet që në Parlament të miratohen disa ndryshime në ligjin aktual "për mbrojtjen nga produktet e duhanit". Sipas diskutimeve në Komisionin e Shëndetësisë në fushën e penalizimit do të bëjë pjesë edhe policia e rendit. Tjetër ndryshim i kërkuar nga Komisioni i Shëndetësisë është edhe pjesa e mbledhjes së gjobave, që pa bashkëpunimin me pushtetin vendor bëhet thuajse e pamundur. Një tjetër pikë e lidhur me ligjin është edhe zbatimi i kushteve për të tregtuar duhan. Sipas rregullave të vendosura nga komiteti përgjegjës dhe grupeve të interesit, në çdo njësi-paketë apo paketim të produkteve të duhanit duhet të figurojnë mesazhe paralajmëruese për dëmet që shkakton në shëndet përdorimi i produktit të duhanit. Këto mesazhe duhet të jenë të shkruara qartë, dukshëm dhe lexueshëm në gjuhën shqipe. Këto mesazhe duhet të zënë 50 për qind ose më shumë të sipërfaqes së shfaqur, por jo më pak se 30 për qind të faqes kryesore të shfaqur të paketës apo të paketimit të produktit të duhanit. Tekstet e paralajmërimit të përgjithshëm dhe të paralajmërimit shtesë duhet të plotësojnë këto kërkesa të formës: Të jenë në gjuhën shqipe. Teksti i paralajmërimit të zërë pjesën më të madhe të mundshme të sfondit të bardhë.