E Diel, 1 Nëntor 2026

Lufta ndaj krimit, agjentët s‘kanë para

Policia e Tiranës nuk ka para për agjentët
që të parandalojnë krimet. Ky problem
është ngritur në një nga analizat e realizuara
kohët e fundit në Drejtorinë e Policisë së
Qarkut, pas kritikave për punën në disa sektorë.
Burime të besueshme në Policinë e Tiranës
bënë të ditur se në ditët e para të këtij
muaji, të gjithë komisariatet dhe sektorët
kanë realizuar një analizë për punën e bërë
për vitin 2007, e veçanërisht për muajin nëntor.
Drejtuesit e policisë, veç të tjerash, kanë
përgëzuar punën e uniformave blu, por me
rezerva për disa sektorë. Sipas të dhënave
të mbërritura në gazetën "Shqip", një ndër
këto rezerva ishte edhe puna e agjentëve të
policisë. Në mbledhjen e analizës është diskutuar
se agjentët kanë bërë punë të dobët
në parandalimin e krimit dhe në zbulimin e
dokumentimin e veprave penale. Por, kjo ka
hasur pengesë nga agjentët e krimeve në
Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Sipas informacioneve,
ata janë shprehur se nuk kanë
kushte për të arritur rezultate më të larta.
Një ndër këto kushte, ishin edhe shpërblimet.
Sipas të dhënave, ata nuk përfitojnë
fonde për shpenzimet që duhet të bëjnë për
dokumentimin e një vepre penale. Një ndër
sektorët e prekur është ai i antidrogës. Nga
të dhënat mësohet se specialistët dhe
agjentët e sektorit të luftës kundër drogës,
shpesh herë detyrohen të bëjnë shpenzime
vetjake për të arritur tek objektivi i punës.
Gjithashtu, fondi mbetet problem edhe për
sektorët e tjerë. Shumë prej specialistëve të
Policisë së Tiranës detyrohen të kryejnë
shërbime për hetimin e çështjeve me shpenzime
personale, duke përfshirë këtu, automjete,
telefonata, apo edhe mjete të tjera. Nga
interesimi i gazetës "Shqip" rezultoi se në
buxhetin e shtetit nuk parashikohet asnjë
fond për këto shpenzime. Veç pagave të tyre,
agjentët e policisë nuk mund të përfitojnë
të ardhura të tjera, veç rasteve sporadike,
kur ata shpërblehen për ndonjë operacion
të bujshëm. Ndërkohë, drejtuesit e policisë
kanë premtuar dhe kanë bërë kërkesa që të
ketë fonde të veçanta edhe për agjentët e
krimeve. Burimet policore thanë se ajo
mund të merret në shqyrtim nga një ekip i
policisë dhe më pas nga Ministria e
Brendshme, e cila do t‘ia kalojë Këshillit të
Ministrave. Megjithatë, ky nuk është i vetmi
problem që është shfaqur në fund të vitit
për policinë shqiptare. Efektivët e policisë
ende nuk kanë marrë shpërblimet për rezultatet
e arrira. Sipas të dhënave, Patrulla e
Përgjithshme e Policisë së Tiranës nuk ka
mundur të tërheqë shpërblimet. Uniformat
blu janë vënë në dijeni se momentalisht nuk
ka para për shpërblimet e tyre. Por, atyre u
është dhënë shpërblimi prej 10 mijë lekësh,
i miratuar me vendim qeverie, që edhe ky
është tatuar me vlerën 10%. Me shpërblimin
e miratuar nga qeveria, autoritetet policore
kanë motivuar mungesën e parave për përfitimet
e tjera të uniformave blu, duke u
dhënë shpresë se këto para mund t‘i marrin
në fillim të vitit tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›