Lirohet Sporea, Apeli e kishte nxjerrë me kusht
Historia e bujshme e shitjes së tezës së konkursit për në Fakultetin Juridik në vitin 2005 dhe odisesë së mëpasshme për gjetjen dhe kapjen e autorit të këtij krimi, ka përfunduar si një flluskë sapuni. Ferdinand Sporea, ish-kryetar i qeverisë studentore të Fakultetit të Drejtësisë, i arrestuar dy ditë më parë nga policia e Durrësit, pasi ishte shpallur person në kërkim si autor i nxjerrjes dhe më pas shitjes së tezës së provimit, është liruar vetëm një ditë më pas. Ai ka lënë qelitë e komisariatit dje në mesditë, pasi Gjykata e Apelit në kryeqytet pak muaj më parë kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë duke e dënuar atë me kusht. Në janar të 2006-ës, Prokuroria e Tiranës regjistroi në Gjykatën e Tiranës çështjen ndaj Ferdinad Sporesë, i cili, ndërkohë, ishte shpallur në kërkim. Në 30 mars 2007, kjo gjykatë e mbylli procesin gjyqësor duke e dënuar 36-vjeçarin me 1 vit e 6 muaj burg dhe një milion lekë gjobë. Vetëm një muaj më vonë, Sporea e apeloi vendimin e dhënë, çka i ka rezultuar e suksesshme. Prokuroria i ka bashkuar tri akuzat ndaj tij në një të vetme dhe Gjykata e Apelit ka dhënë vendimin duke e dënuar atë me kusht, pra duke i dhënë përfundimisht lirinë ish-kryetarit të qeverise studentore.