Temperaturat e ulëta, nisin problemet në rrugë
Temperaturat e ulëta kanë sjellë edhe problemet e para në vendin tonë. Gjirokastra dhe rrethinat përreth është zbardhur nga dëbora, e cila është bërë e dendur sidomos në orët e vona të pasdites së të shtunës. Trashësia e borës arriti deri në 2 cm, ndërsa në zonat e thella malore reshjet kanë qenë më të dendura dhe rrjedhimisht trashësia e saj ka qenë mbi 10 cm. Akset rrugore në territorin jugor kanë qenë të kalueshme përveç pjesës që lidh Rrethin e Gjirokastrës me Sarandën. Në Qafën e Muzinës ku lartësia e zonës është mbi 600 metra nga niveli i detit, bora ka bllokuar lëvizjen e automjeteve nga të dyja anët e kundërta të aksit. Afro dhjetë automjete të vogla janë kthyer mbrapsht për në Sarandë në mungesë të zinxhirëve, pasi dështuan në tentativë për të kaluar rrëpirën e rrezikshme të kësaj qafe. Në Korçë, në dy ditët e fundit, ulja e ndjeshme e temperaturave dhe kalimi i tyre nën zero kanë shtuar ngricat, ndërsa në qafa e në zonat malore janë regjistruar reshje dëbore. Qyteti i cili nuk është prekur nga dëbora ka marrë mbi asfalt edhe shtresat e akullit dhe ngricës, ndërsa akset nacionale janë kthyer në problemin kryesor për qarkullimin e mjeteve. Orët e para të mëngjesit dhe nata është kthyer në tmerrin e udhëtarëve. Ulja e ndjeshme e temperaturave dhe rënia e dëborës, ka bllokuar mjaft komuna dhe fshatra në Qarkun e Dibrës, në verilindje të vendit. Në qytetin e Peshkopisë, është regjistruar temperatura më e ulët në vend, me minus 8 gradë Celsius, ndërsa në qytetin e Bulqizës, akoma edhe më e ulët me minus 10 gradë Celsius, ndërkohë që ka pasur edhe reshje dëbore. Kështu në bazë të verifikimeve të bëra, rezultojnë të bllokuara për mungesë transporti Komunat Lurë, Kala e Dodës, Sllovë, Trebisht, Xibër, Macukull etj. Ndërsa numri i fshatrave të veçantë, që janë të izoluar nëpër komuna, është akoma edhe më i madh. Ndërsa drejtuesit e automjeteve, kanë shumë vërejtje për Ndërmarrjen Rajonale të Rrugëve Dibër, pasi në rrugën nacionale që lidh Dibrën me Tiranën, mungon skorja dhe punëtorët për hedhjen e saj. Po kështu edhe në Qarkun e Kukësit ka pasur vështirësi në qarkullim, por kanë qenë të kalueshme.