"Liverpuli nuk është në shitje"
Bashkëpronarët e Liverpulit, Xhorxh Xhilet dhe Toim Hiks kanë këmbëngulur se do të qëndrojnë "të përkushtuar maksimalisht ndaj klubit". Kjo ka ardhur pasi në mediat britanike vazhdon të qarkullojë lajmi se kompania "Dubai International Capital" po përgatit një tjetër ofertë për të marrë një pjesë të aksioneve në "Anfilld Roud". Përpara një viti, DIC ishte fare pranë marrjes së klubit, por në momentin e fundit, oferta e tyre nuk u pranua. Kësaj radhe, kompania arabike synon që të blejë 50 për qind të aksioneve të skuadrës së Premiershipit. Në lidhje me zërat që qarkullojnë për një ofertë që pritet të bëhet së shpejti, "Dubai International Capital", as që e ka marrë mundimin për të përgënjeshtruar spekulimet: "Nuk kemi asnjë koment për këto zëra, deklaroi një zëdhënës i kompanisë. Nuk mund të themi asgjë në lidhje me këtë çështje".
Megjithatë, zëdhënësi i bashkëpronarit Hiks u tregua shumë i qartë në reagimin e dhënë. Ai tha: "Z.Hiks dhe z.Xhilet janë shumë të përkushtuar ndaj klubit. Në mënyrë kategorike dua të hedh poshtë të gjitha zërat sipas të cilave zotërinjtë Diks dhe Xhilet kanë ndërmend që të shesin një pjesë të aksioneve të Liverpulit te ‘Dubai International Capital‘ apo te ndonjë kompani tjetër". Në Angli kishin filluar të përhapeshin edhe fjalë rreth krisjes së marrëdhënies mes dy pronarëve amerikanë, ku financat e klubit kanë qenë një nga pikat më të diskutuara. Momentalisht, Hiks dhe Xhilet po finalizojnë një marrëveshje financiare, e cila do t‘u lejojë të paguajnë borxhet që kanë marrë për të blerë skuadrën dhe fondet që u përdorën për të afruar futbollistë të rinj, duke përfshirë këtu edhe sulmuesin spanjoll, Fernando Torres. Rifinancimi është mjaft i rëndësishëm për Liverpulin, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të filluar ndërtimin e stadiumit të ri, i cili do të jetë fare pranë vendit ku aktualisht ndodhet "Anfilld".
Të hënën, Liverpuli do të luajë në shtëpi kundër Aston Vilës, në një ndeshje të vlefshme për kampionatin. Tashmë që të gjitha problemet duket se kanë kaluar (shqetësimi kryesor ka qenë largimi i mundshëm i trajnerit Rafa Benitez), skuadra mund të përqendrohet vetëm te ndeshja dhe të kërkojë t‘i afrohet edhe më shumë tri skuadrave kryesuese. Mançester Junajted, Arsenali dhe Çelsi do të zbresin sot në fushë dhe përballë tyre do të kenë skuadra të gjysmës së ulët të klasifikimit: respektivisht Riding, Fullhem dhe Birmingamin. Për këtë arsye, askush nuk do të habitej nëse diferenca e pikëve që Liverpuli ka me këto skuadra mund të jetë më e madhe se 15. Nëse nuk fitojnë, "Reds"-at rrezikojnë të dalin përfundimisht nga lufta për titull, pasi do të nevojitej një mrekulli që në fund të sezonit ata të ishin ende në garë.