Prezantohet Jamaha e re, Rosi: Tani është radha ime
Sfida e re dhe e kaluara, gomat dhe Stoner. Nga Torino, ku Jamaha ka prezantuar M1 e ri për Botërorin 2008 në MotoGp, Valentino Rosi ka shpjeguar të gjitha argumentet e mundshme. Këtë e ka bërë duke filluar nga ngacmimet e gazetarëve rreth zërave për një tërheqje të parakohshme nga sporti i dy rrotave, nëse do të humbasë edhe në kampionatin e ri. "As që nuk e mendoj të tërhiqem. Nuk e kuptoj përse të gjithë më pyesin rreth kësaj", tha "Doktori". "Do të garoj deri kur ta ndjej se jam konkurrues dhe se mund të fitoj. Ëndërroj që deri në fund të karrierës të qëndroj te Jamaha, e mendoj se është një ëndërr që mund të realizohet". Piloti italian ka folur edhe për të kaluarën dhe të tashmen: "Pas pak kohe do të fillojë kampionati, e si zakonisht jemi shumë të emocionuar. Viti 2008 është mjaft i rëndësishëm, duhet të jemi në luftë për të fituar. Vijmë nga dy vite të vështira dhe përpara na pret një punë mjaft e vështirë, por skuadra është fantastike: kemi njerëzit e duhur në vendet e duhura. Gjatë sezonit të kaluar kemi qenë edhe mjaft të pafat, por kësaj radhe shpresojmë që të argëtohemi. Duhet të kemi mësuar nga gabimet e një viti më parë. Si e kam dorën? Mirë, edhe pse ndjej disa dhimbje. Kocka është ngjitur në mënyrë të përkryer, por më shqetësojnë ligamentet". Sezoni 2008 do të fillojë më 9 mars në Katar, garë që do të zhvillohet natën: "Duhet të punojmë fort në të gjitha frontet. Për motorin po japim maksimumin dhe që në testet e Malajzisë do të provojmë disa gjëra të reja. Edhe në Japoni po punohet me motorin e ri M1. Ndjehem në formë të shkëlqyer dhe shpresoj që të tregoj prej garës së parë që jam gati për një sezon të gjatë. Ndryshimi i gomave nga ‘Mishlen‘ në ‘Brixhston‘ ka qenë një bast, një zgjedhje e guximshme. Tashmë do të shohim nëse kishim të drejtë". Rivali direkt edhe këtë vit do të jetë Stoner, që pak kohë më parë nuk e përfshiu Rosin në listën e favoritëve. Përgjigja me ironi e italianit ishte: "Mbase thjesht më ka harruar".