Qeveria, raporton në BE për drejtësinë
Një delegacion i qeverisë shqiptare, në përbërje të të cilit bëjnë pjesë ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, dhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, do të zhvillojnë më datat 12 - 13 shkurt një vizitë zyrtare në Bruksel, ku do të takohen me personalitete të Komisionit Evropian. Zyra e Shtypit pranë Ministrisë së Drejtësisë bëri të ditur se takimi më i rëndësishëm i ministrave në Bruksel është ai me zv.presidentin e Komisionit Evropian, Franco Frattini. Në axhendën e takimeve, ministrat kanë planifikuar takime me kryetaren e Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Doris Pack, drejtorin e Përgjithshëm të Zgjerimit, Michael Leigh dhe eurodeputetët e delegacionit të BE për Evropën Juglindore. Sipas njoftimit të kësaj ministrie, tema e bisedimeve të ministrit të Drejtësisë në Bruksel me përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe z. Frattini do të jetë ecuria e reformës në drejtësi, diskutimi i ligjit për drejtësinë, parë kjo dhe në kuadër të bashkëpunimit mes forcave politike në Kuvend. Ministri i Drejtësisë në këto takime do të paraqesë pikëpamjet e tij mbi reformën në sistemin e drejtësisë, bashkëpunimin mes organeve të drejtësisë dhe ekzekutivit, bashkëpunimin me prokurorinë etj. Mbrojtja e dëshmitarëve, progresi në zyrën e përmbarimeve, vlerësimet e ministrit për bashkëpunimin me Euralius, ndryshimet e fundit në Kodin Penal lidhur me aplikimin e dënimeve alternative për kategori të caktuara, si të miturit e gratë, do të jenë pika ku do të përqendrohet biseda e ministrit të Drejtësisë me autoritetet evropiane.