Loja e gënjeshtërt e fjalëve
Sapo trajneri Ari Han është emëruar trajner i kombëtares, ka qenë pikërisht futbollisti profesionist i kuqezinjve, Lorik Cana, që ka bërë komplimentet e para. Nuk mjaftoi kjo, por edhe trajneri i tij tek Olimpik, Gerets, ka thënë se "Shqipëria ka bërë një zgjedhje fatlume, duke ulur në stol Hanin". Po të kthehesh pas në kohë, edhe Lala kishte bekuar Bariçin, ndërsa Strakosha fjalë të bukura për Brigelin. Në ditët e sotme do të ndalojmë me futbollistin e Dinamos, Pejiç, që më parë tha se kishte fat që punonte me trajnerin Canaj. Por në futbollin tonë, ku ka më pak sakrificë dhe më shumë hipokrizi, ngjarjet rrokullisen më shpejt se topi. Pikërisht ky Pejiç, sapo kanë shkarkuar trajnerin Agim Canaj, ka deklaruar se "Dinamo e trajnerit Daja është më efikase se e Canajt". Kjo tregon se edhe të huajt e mësojnë shumë shpejt shqipen e topit. Bëjnë përshtypje fjalët e tij, sepse në fushë shënon si profesionist, ndërsa kur flet duket si amator. Edhe Sinani i Vllaznisë, disa javë më parë kishte premtuar se trajneri Josa do të ikte i fundit nga "anija". Por këtë të shtunë u realizua divorci i shumëpërfolur. Një humbje me Teutën nuk është fundi i botës, por u konsumuan 90 minuta me pabesi ndaj njeriut të stolit. Kjo është loja e keqe, e cila përsëritet shpesh... Le të kthehemi disa muaj më parë, kur presidenti Fushaj donte të largonte Josën. Ishin futbollistët që vunë kokën në "gijotinë" për të shpëtuar trajnerin e tyre të zemrës. Ndeshjen e fundit është tradhtuar dhe nuk ka pasur kurajo të rrëfejë prapaskenën. Duket sikur në futbollin tonë ka me shumicë trajnerë, ngaqë gati çdo javë vazhdon pelegrinazhi në stol. Trajneri Sulejman Mema i Tiranës, në ditët e para të rikthimit te Tirana, ka thënë se ka gjetur harmoninë me donatorët. Vetëm dy javë mjaftuan për të vërtetuar se ditët me diell te kampionët janë kujtime të largëta. Kjo edhe për vetë Memën. Ndoshta nuk humbi stolin pas humbjes me damkë ndaj Partizanit, por humbi moralin për "revolucionin" e premtuar. Do të ishte më ndryshe sikur njerëzit e stolit të flisnin më pak. Ja për shembull, Lika i Partizanit, pas triumfit me "demat", është shprehur se suksesi i qëndron te diplomacia e Xhanit. Në të vërtetë, fitorja me përmasa ndaj rivalëve klasikë ka qenë faturë e tij dhe e futbollistëve. Nëse ndeshja do të kishte një fund jo të lumtur, askush nuk do të guxonte t‘ia faturonte presidentit. Siç ndodhi në Shkodër, kur humbja u përdor për të larguar trajnerin dhe në fund dëgjojmë hipokrizinë se presidenti dhe trajneri realizuan një ndarje xhentëlmenësh.