Mançini: Duhet të jemi perfektë
Vetëm pak orë përpara sfidës në Ligën e Kampioneve me Liverpulin, logjika e përdorur në radhët e Interit prek dy koncepte. I pari: "Sido që të përfundojë, sezoni ynë nuk mund të bazohet vetëm në këtë rezultat"; i dyti: "Nuk jemi në formën më të mirë, disa lojtarë po rikuperohen, ndërsa të tjerë nuk do të luajnë për shkak dëmtimesh. Në fushë do të zbresin vetëm ata që mund të japin 100 për qind dhe që mund të vrapojnë për 120 minuta". Trajneri Roberto Mançini ka përcaktuar koordinatat e ndeshjes perfekte, arma e vetme që zikaltërit do të kenë në dispozicion për të eliminuar Liverpulin, që niset me avantazhin 2-0 të regjistruar në "Anfilld Roud". "Duhet të jetë një mbrëmje pa gabime, duhet të luajmë duke përdorur kokën dhe të mos i lëmë hapësira Liverpulit. Nuk jam pesimist, besoj se kemi shanse të kualifikohemi. Megjithatë, mendoj se i gjithë sezoni ynë nuk mund të bazohet në një ndeshje të vetme, cilido qoftë rezultati i saj".
Një nga problemet që Mançini duhet t‘i kushtojë shumë vëmendje është taktika: situata emergjente që mbizotëron në skuadër prej dëmtimeve bën që mesfusha me pesë lojtarë dhe një sulmues të jetë një zgjidhje e pranueshme. "Duke qenë se kemi shumë të padisponueshëm, kjo është një mundësi, por për të përmbysur humbjen 2-0 duhet të jemi perfektë nga çdo pikëpamje. Nuk ekziston asnjë recetë për të kthyer gjërat në favorin tonë dhe nuk duhet të mendojmë të shënojmë tri gola me çdo kusht. Jemi të vetëdijshëm se mund t‘ia dalim mbanë, edhe pse përballemi me një skuadër të fortë. Situata nuk duhet dramatizuar nëse ndodh e kundërta. Nuk është e vërtetë që jam pesimist... Në Champions ndodhin shumë surpriza". Më tej, drejtuesi i stolit zikaltër ka folur edhe për emrat konkretë. "Pozicioni në fushë i Zanetit? Kemi disa alternativa, por do të shohim në vazhdim. Kruz? Ndjehet mirë, stërvitet prej dhjetë ditësh dhe nuk e aktivizova me Rexhinën për zgjedhje taktike. Kivu? Ndjen pak dhimbje, megjithatë shtrëngon dhëmbët. Lojtarë të mëdhenj janë edhe ata që luajnë kur janë të dëmtuar dhe bëjnë gjithçka për të ndihmuar skuadrën". Në fund ai ka folur edhe rreth Liverpulit. "Nuk mendoj se ata do të luajnë për t‘u mbrojtur, dhe pse duhet të pranoj që janë një skuadër shumë e aftë në lojën difensive. Do të luajnë ndeshjen e tyre dhe situata mund të ndryshojë vetëm nëse do të kenë të njëjtin ‘fat‘ që kishim ne në sfidën e parë, pra të luajnë me një futbollist më pak pas gjysmë orë lojë. Gjithsesi nuk është e rastësishme që Liverpuli ka eliminuar edhe skuadra të tjera të mëdha. Nëse pres surpriza nga Benitez? Jo, e njohim mirë njëri-tjetrin. Për më tepër që kur luan një ndeshje në tri ditë shqetësimi i vetëm është që skuadra të rikuperojë sa më shpejt energjitë".