E Diel, 1 Nëntor 2026

Lojërat Olimpike, nën hijen e terrorizmit

Policia kineze ka bërë të ditur se ka shmangur një tjetër sulm terrorist që kishte si objektiv dëmtimin e zhvillimit të Lojërave Olimpike në Pekin. Pas vrasjes së disa terroristëve në muajin janar, dje është bërë e ditur se këtë radhë është evituar përplasja e një avioni linje, ngjarje e ndodhur gjatë javës së kaluar. Uang Lekuan, zyrtari më i lartë i Partisë Komuniste në rajonin perëndimor të Xinjiang, deklaroi se materialet e zbuluara gjatë janarit tregonin për sabotimin e zhvillimit të Lojërave Olimpike. "Qëllimi i tyre ishte krejtësisht i qartë", deklaroi ai në një konferencë për shtyp në Pekin. Kjo ishte hera e parë kur aksioni i policisë kineze ndaj celulave terroriste lidhej me Lojërat Olimpike, ndonëse nuk u publikuan më shumë detaje rreth kësaj ngjarjeje të muajit janar.

Në të njëjtën konferencë foli edhe guvernatori i krahinës Xinjiang, Nur Bekri, i cili publikoi faktin se ekuipazhi i një avioni kishte shmangur gjatë ditës së premte sulmin me një avion linje të nisur nga Urumqi. Gjithsesi, ai nuk e etiketoi atë menjëherë si një akt terrorist, duke sqaruar se gjithçka ishte në procesin e hetimit. "Asnjë prej pasagjerëve nuk është dëmtuar, ndërsa policia po vazhdon hetimet rreth ngjarjes", u shpreh ai. Kina ka rritur ndjeshëm masat anti-terrorizëm gjatë kësaj periudhe, duke bërë përgatitjet për Lojërat Olimpike që zhvillohen në Pekin gjatë muajit gusht. Zyrtari më i lartë i policisë kineze e cilësoi terrorizmin si shqetësimin më të madh për zhvillimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm. Policia zbuloi armë, bomba artizanale, materiale stërvitore dhe "materiale fetare të ideologjisë ekstremiste", gjatë një kontrolli të zhvilluar më 27 janar në Urumqi, gjatë të cilit u vranë dy anëtarë të bandës dhe u arrestuan 15 të tjerë.

Shqetësimi më i madh i kinezëve është lëvizja separatiste e Uigurëve të krahinës Xinjiang. Regjimi kinez ka evituar çdo problem deri tani, duke eliminuar çdo sulm terrorist me armë apo bomba gjatë dy dekadave të fundit. Në konferencën e djeshme, Uang Lekuan bëri të ditur se grupi i neutralizuar në janar ishte stërvitur dhe ndiqte urdhrat e një grupi separatisti Uigur me baza në Pakistan dhe Afganistan, me emrin ETIM. Ky grup është cilësuar si organizatë terroriste edhe nga Kombet e Bashkuara dhe SHBA-të. Vetë kinezët kanë bërë të qartë se çdo rrezik i Lojërave Olimpike vjen pikërisht nga ky grupim ekstremist. Lekuan bëri të qartë se forcat e sigurisë do të shtypnin në të gjitha mënyrat e lëvizjeve separatiste dhe terroriste gjatë vitit të Lojërave Olimpike, për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit. "Ata nuk e kuptojnë se nuk kanë forcat për ta bërë një gjë të tillë", u shpreh ai.

Më pas u zbuluan pak detaje mbi tentativën për të rrëzuar një avion linje gjatë ditës së premte, në orën 10:35. Guvernatori i krahinës bëri të ditur se në ngjarje ishin përfshirë më shumë se një person, po pa specifikuar përsëri se kush fshihej pas kësaj tentative. Ai sqaroi se ekuipazhi kishte ndërhyrë shumë shpejt, duke arritur të ulte avionin në një pistë në qytetin Lanzhu. Pas ndërhyrjes së policisë, avioni kishte vijuar rrugën drejt Pekinit.

Dalai Lama

Pak ditë më parë, kinezët akuzuan edhe liderin shpirtëror të tibetianëve se po përpiqej të sabotonte Lojërat Olimpike, duke paralajmëruar për probleme të mundshme gjatë kalimit të flakës olimpike në malin Everest

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›