Kristiano Ronaldo, i frikësuar: Do të përfundoj si Eduardo
Mediat angleze i kanë dhënë shumë rëndësi apelit të Kristiano Ronaldos, i cili ka reaguar mjaft ashpër ndaj faulleve që pëson në çdo ndeshje nga mbrojtësit kundërshtarë. Sipas britanikëve, ashpërsia e kampionatit dhe indiferenca e gjyqtarëve ndaj ndërhyrjeve të tilla mund të shtyjnë yjet të largohen, për të evituar fatin që pësoi sulmuesi i Arsenalit, Eduardo. "Jam i frikësuar!", ishte titulli madh i "Sunday Star", ndërsa revista "People" zgjedh një titull shumë më drastik: "Do të përfundoj si Eduardo".
"Nuk jam i zhgënjyer vetëm se luajtëm keq, pasi mendoj se nE u shfaqëm mjaft mirë dhe krijuam shumë raste, por sjellja e gjyqtarit ishte e pabesueshme. Vetëm brenda 5 minutash kam pësuar tre faulle, njëri më i ashpër se tjetri, ndërsa nuk pashë asnjë karton të verdhë e asnjë penallti. Në këto kushte është e vështirë të luash. Kam thënë gjithmonë se ky është kampionati më i mirë në botë, por është shumë zhgënjyese të shohësh se gjyqtarët nuk mbrojnë lojtarët më të mirë, duke ndihmuar mbrojtësit", ishte deklarata e Kristiano Ronaldos pas ndeshjes me Portsmuthin. Mediat i kanë interpretuar këto si paralajmërime të qarta të lojtarit që nuk dëshiron të rrezikojë karrierën vetëm sepse mbrojtësit nuk tolerojnë driblimet e tij. Sipas tyre, mesfushori i Mançester Junajtid mund të zgjedhë të largohet nga kampionati anglez për t‘u transferuar në kampionatin më pak të ashpër spanjoll dhe më shumë spektakolar të Spanjës.
Portugezi ka bërë të qartë se shumë mendime të tij kanë ndryshuar që pas incidentit që i ka ndodhur Eduardos së Arsenalit, i cili do të kalojë rreth një vit jashtë fushave të lojës. "Po mendoj atë që i ndodhi Eduardos dhe kam frikë se mund të pësoj të njëjtin fat të keq, pasi ka disa lojtarë që bëjnë faulle të pabesueshme dhe absurde, ndërsa gjyqtarët nuk bëjnë asgjë për t‘i ndaluar. Kjo më ka lënë të pakënaqur, ndaj po mendoj mos është më mirë të ndryshoj mënyrën e lojës sime. Shihni faullin e Distin vetëm pas 50 sekondash lojë. Shihej qartë që ai nuk u mundua të kapte topin, por erdhi direkt drejt meje. Kjo vazhdoi gjatë gjithë ndeshjes, me miratimin e gjyqtarit dhe unë tani kam frikë të luaj përballë disa kundërshtarëve", tha Kristiano Ronaldo.