E Diel, 1 Nëntor 2026

Lorik Cana: Humbja 4-0 me Liverpulin, zhgënjim total

Lorik Cana ka pohuar se humbja 4-0 me Liverpulin, e cila ka nxjerrë Olimpik Marsejën nga Liga e Kampioneve ka qenë një zhgënjim total. "Absolutisht! Kur deri në ndeshjen e fundit ke shans të kualifikohesh, luan përpara publikut tënd dhe ke mundësi të bësh më mirë, humbja sjell zhgënjim", pohoi mesfushori shqiptar. Sipas kapitenit të nënkampionëve të Francës gjithçka ka ardhur pas fillimit të keq të ndeshjes dhe dizavantazhit të shpejtë: "Në minutat e para luajtëm keq, ndërsa Liverpuli luajti menjëherë në sulm. Ata kanë lojtarë shumë cilësorë, që të ndëshkojnë në gabimin më të vogël dhe mendoj se ata e merituan fitoren. Ajo që ka vrarë më shumë ishte pikërisht mënyra jo e mirë sesi Olimpiku luajti në minutat e para, nga ku erdhi edhe humbja. Liverpuli përdori shpejtësinë e sulmuesve që ka për të na ndëshkuar. Do të përpiqemi të nxjerrim anët pozitive të kësaj humbjeje, ndonëse është e vështirë që të gjejmë të tilla". Humbja që solli eliminimin ishte një goditje mjaft e fortë nga ana psikologjike, por Cana kërkon të karikojë skuadrën për t‘u ngritur në këmbë. "Nëse arrijmë të ngrihemi në këmbë pas kësaj ndeshjeje, do të thotë se jemi shumë të fortë nga ana psikologjike. Jemi shumë të zhgënjyer, por lojtarët e mëdhenj njihen pikërisht kur reagojnë pas një goditjeje të tillë. E kemi për detyrë të ngrihemi që të gjithë, sepse OM duhet të vazhdojë rrugën e tij. Do të jetë e vështirë që shumë lojtarë të rinj në skuadër të jenë gati moralisht, sepse ne nuk e dimë sesi do ta përballojnë ata disfatën. Por me ndihmën e grupit do të bëj të pamundurën që kjo ndeshje të harrohet dhe të ngremë kokën".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›