Të gjithë dakord: Kapelo, njeriu i duhur
Mungon vetëm zyrtarizmi, por Fabio Kapelo mendohet të jetë trajneri i ardhshëm i Anglisë. Tekniku italian dje ka udhëtuar me fshehtësi drejt Londrës, ku është takuar me drejtuesit e FA-së, duke diskutuar me ta rreth kontratës që do ta lidhë me përfaqësuesen e këtij vendi. Sipas informacioneve nga Anglia, takimi ka qenë i mirorganizuar, aq sa nuk është mësuar as vendi ku do të takoheshin palët, ndërsa vetëm gjatë ditës së sotme priten të bëhen të ditura detajet dhe mundësisht zyrtarizmi i teknikut në stolin e "tre luanëve".
Ndërkohë, duket se Kapelo ka fituar edhe vlerësimin e opinionit sportiv që e sheh atë si njeriun e duhur për të kthyer Anglinë në majat e futbollit botëror dhe për të lënë pas zhgënjimet e kohëve të fundit. Ish-futbollisti Rud Gulit, i cili ka qenë nën urdhrat e Kapelos te Milani i lavdishëm i viteve ‘90, ka shpjeguar për mediat britanike se Kapelo është një fitimtar, por mendon vetëm për rezultatet dhe jo lojën e bukur. "Ai nuk luan që të kënaqë spektatorët, por për të fituar ndeshjet. Nuk do ta shihni të qeshë shpesh, ai zakonisht është shumë serioz. Por ai e di se çfarë dëshiron. Lojtarët duhet të përshtaten me mënyrën e tij ose do të jenë në telashe. Ai është një tip që nuk e ka problem të të ulërasë në fytyrë. Duhet të jesh në formë shumë të mirë që të luash për të, shumë i disiplinuar, ndërsa është e sigurt që askush nuk mund të tallet me të", ishte përshkrimi që Gulit i bëri ish-trajnerit të tij. Ai sqaroi se ideja kryesore e Kapelos do të ishte përforcimi i prapavijës së "Tre luanëve", që ka pësuar shumë gola në ndeshjet e fundit. "Italianët kanë si qëllim kryesor të shfaqen mirë, për të mbrojtur reputacionin. Kur e ke këtë qëllim është shumë e vështirë të mundesh. Nëse transformohesh në këtë lojë cinike, atëherë nuk ke nevojë të luash shumë mirë për të fituar. Kjo është mënyra se si italianët kanë fituar shumë trofe", tregoi ai.
Një tjetër holandez dhe ish-lojtar i Kapelos, Klarens Sedorf, është i bindur se italiani është njeriu i duhur dhe një prej trajnerëve më të mirë në qarkullim. "Ai është një tip i fortë dhe shumë direkt. Por gjithashtu, është edhe shumë i dedikuar pas punës së tij. Ka kaluar shumë kohë që prej periudhës kur kam punuar me të te Reali i Madridit, por mendoj se tani ka më shumë eksperiencë se 10 vite më parë. Që atëherë, ai ishte një prej trajnerëve më të mirë që unë kam pasur. Kam folur me të dy javë më parë dhe e di se ai e sheh kombëtaren e Anglisë si një sfidë mjaft interesante. Anglia ka lojtarë cilësorë, por rezultatet nuk kanë bërë të mundur të tregohet forca reale e kësaj skuadre. Kapelo e di një gjë të tillë dhe kjo përbën një sfidë. Ai shkon atje ku mungojnë rezultatet dhe i kthen lojtarët e mirë në një skuadër të mirë. Cilësia e tij më e mirë është se arrin të nxjerrë maksimumin nga çdo lojtar, edhe nëse ai nuk po luan mirë. Kapelo di se çfarë të kërkojë nga futbollistët dhe i shtyn ata në maksimumin e mundësive të tyre. Por ai do të punojë vetëm me ata që janë seriozë dhe të përkushtuar. Ai do të preferonte të kishte më pak lojtarë cilësorë, por të përkushtuar sesa më shumë kualitet dhe pak përkushtim", ishte përshkrimi që mesfushori holandez i bëri trajnerit italian.
Lampard
Mesfushori i Anglisë ka mbështetur Fabio Kapelon si trajnerin e duhur për kombëtaren. "Ai ka fituar tituj kudo që ka shkuar dhe do të ishte një zgjidhje shumë e mirë. Nuk e di se kush do të bëhet trajner i përfaqësueses tonë, por Kapelo ka një personalitet që do t‘i shërbente shumë përfaqësueses", tha Lampard