Gërmimet për pallatin zbulojnë tempullin helenistik
Dëshmitë e një tempulli helenistik shfaqen mes malit të mbeturinave në Porto Romano të Durrësit. Ndërsa gërmonin për të hapur themelet e një godine shumëkatëshe në lagjen 6 të qytetit bregdetar, punonjësit kanë rënë në gjurmët e historisë së lashtë të qytetit-port, të ndërtuar e rindërtuar disa herë mbi veten. Megjithatë, nuk kanë respektuar detyrimin që çdo firmë ka për të njoftuar ekspertët e arkeologjisë, ndërsa punonin në zonat A dhe B. Kanë vazhduar gërmimet dhe gjatë natës së parë të këtij viti të ri kanë zhvendosur grumbullin e inerteve përfshirë dhe ato që mbartin vlera arkeologjike në shesh-depozitimin e plehrave urbane në periferinë veriore të Durrësit. Mbrojtja me fanatizëm e vlerave të qytetit përballë interesave të ngushta të biznesit është e papërfillshme. Rasti më i fundit i dëmtimit të objekteve arkeologjike të ruajtura nëntokë nga nëna natyrë, sipas drejtuesve të Institutit të Mbrojtjes së Monumenteve Kulturore, është bërë nga firma e ndërtimit "Fama shpk", e cila ka dëmtuar objektin që fshihej në vendin ku po ngrihet objekti i saj. Nga mbetjet e gjetura mendohet se objekti i përket periudhës parakristiane. Ai është dëmtuar në mënyrë të pariparueshme nga mjetet e rënda të firmës. Pas marrjes së njoftimit, arkeologë dhe specialistë të Mbrojtjes së Monumenteve kanë shkuar në vendngjarje për të konstatuar dëmin dhe shpëtuar sa të mundin objektin e rrallë. Grupi është drejtuar nga drejtori i Institutit të Mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës, Lorenc Bejko. U vunë re disa blloqe mermeri që i përkisnin tempullit, si dhe qeramika masive me vlera historike. Nga fragmentet e gjetura, arkeologët mendojnë se objekti ka qenë me rëndësi të veçantë. Sipas arkeologëve durrsakë, rreziku i vjedhjes së objekteve arkeologjike apo dëmtimit të tyre gjatë gërmimeve për hapje themelesh varet nga kultura e firmave të ndërtimit, individit që gërmon, ekskavatoristit që mund të prishin gjëra me vlerë. Kryesisht nuk i vënë rëndësi dhe i flakin bashkë me pjesën tjetër të dherave, por ekziston dhe është i pranishëm edhe rreziku i vjedhjes, veçanërisht kur gjenden objekte që bien në sy dhe të personave të paspecializuar. Firmat e ndërtimit janë të detyruara që të bëjnë ruajtjen e objekteve të gjetura gjatë gërmimeve dhe brenda 5 ditëve nga gjetja të njoftojnë autoritetet përkatëse.