E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanali i Butrintit të përdoret për turizëm

Gjendja teknike, mirëmbajtja, higjiena dhe kultura detare janë problemet kryesore me të cilat prezantohet flota tregtare shqiptare në botën detare dhe portuale, çka e vendos atë në listën e zezë të lundrimit. Deklarata është bërë nga kapiteni i përgjithshëm i porteve detare shqiptare, Vladimir Beja, teksa ka marrë në analizë punën njëvjeçare të organit që drejton.

Ndërkaq, kreu i Kapitanerisë shqiptare bëri publike kërkesat drejtuar krerëve të ministrive të Mjedisit, Turizmit dhe asaj të Financave. Duke u nisur nga numri në rritje i pasagjerëve që mbërrijnë në Portin e Sarandës, gjatë vitit të kaluar u regjistruan për herë të parë 150 mijë pasagjerë, pjesa më e madhe e të cilëve turistë të huaj. Beja i sugjeroi ministrit Ylli Pango që të ndërhyjë për të vënë në përdorim kanalin e Butrintit dhe Gjirin e Palermos. "Aktualisht, turistët që vijnë me rrugë detare në Sarandë, shkojnë me autobusë nëpërmjet tokës në Butrint", tha Beja. Kanalit i nevojitet një pastrim-thellim, pasi për herë të fundit kjo është bërë në vitin 1989. Kapitaneria e Përgjithshme është treguar e gatshme të bëjë studimin përkatës me specialistët e saj, ndërkohë që vënia në funksionim e këtij kanali do t‘i jepte një frymëmarrje të re zhvillimit të turizmit në këtë pjesë të bregdetit tonë. Ndërkaq, problemet e hasura gjatë përpunimit të mallrave dhe mjeteve në dogana kanë bërë që një tjetër kërkesë t‘i adresohet Ministrisë së Financave për të përshpejtuar procedurat doganore në porte dhe shmangur vonesat e burokracitë. Kërkesa e tretë i është drejtuar Ministrisë së Mjedisit për të disiplinuar sektorin e peshkimit, sektor ky që shkakton vështirësi për shkak të burokracive që has në paraqitjen e dokumentacionit përkatës pranë Kapitanerisë.

E ndërsa e ka cilësuar vitin e kaluar si një vit të suksesshëm për sa u përket treguesve dhe përmirësimit të kushteve që ofrojnë portet shqiptare dhe kryesisht ai i Durrësit, si porti më i madh në vend, Beja është ndalur në një prej problemeve më të mprehta të flotës detare shqiptare. Ai ka sqaruar se ndryshe nga sa interpretohet rëndom në media, nuk flitet për përfshirjen e porteve shqiptare në listën e zezë ndërkombëtare të sigurisë portuale. Pjesë e kësaj liste të errët janë anijet me flamur shqiptar, të cilat janë të vjetra dhe aspak të mirëmbajtura. Beja la të kuptohet se përveç kësaj dhe kultura detare e ekuipazheve të këtyre anijeve është tepër e mangët dhe ul imazhin e flotës sonë tregtare në botën e lundrimit. Mosha mesatare e anijeve shqiptare i kalon 35 vjet. Në këto kushte nuk ka qenë i rrallë moslejimi i ankorimit të anijeve me flamur dhe port regjistrimi shqiptar në portet e konsideruara si porte të sigurisë së lartë, ku përfshihen ato të vendeve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të tjera vendeve të zhvilluara. Për sa i përket sigurisë portuale, theksi u vu në përmirësimin e standardeve në Portin e Durrësit, përmirësim ky i raportuar edhe pas auditimit të rojës bregdetare amerikane. Në fund të këtij viti, pritet që në Portin e Durrësit të mos përpunohen, as magazinohen me anijet cisternë të karburanteve, të cilat do të zhvendosen përfundimisht në pontilin e Porto Romanos.

Në gjuhën e shifrave, përgjatë një viti janë regjistruar rreth 100 mijë pasagjerë më shumë se viti 2006, ndërsa rritje në masën 10 për qind është shënuar dhe në numrin e anijeve të huaja të ankoruara në port. Rritja e numrit të anijeve dhe trageteve që ankorohen në porte, veçanërisht gjatë gjashtëmujorit të dytë, sipas Bejës, është rezultat dhe i vendimit për uljen e taksave portuale. Një vendim i tillë është konsideruar i favorshëm dhe frytdhënës për të gjitha subjektet që operojnë në port dhe për Autoritetin Portual. Në Portin e Sarandës janë shënuar më shumë prekje të mjeteve lundruese në krahasim me atë të Vlorës, pavarësisht se në Vlorë ka pasur një numër shumë më të madh pasagjerësh. Kjo shpjegohet me numrin e madh të jahteve të turistëve të huaj që ankorohen në periudha të ndryshme të vitit në Sarandë. Për vitin 2008 është deklaruar se parësore do të jetë ngritja e stacioneve të pilotimit në Durrës dhe Vlorë, për të plotësuar kështu standardet e përcaktuara në Kodin Detar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›