Në "Bathoren" e Durrësit
Më të kujdesshmit e quajnë "zona informale e Durrësit" ose "zona e ish-Kënetës", porse për durrsakët e vjetër ajo është thjesht "Kneta", madje pa "ë". Është një hapësirë e madhe që shtrihet drejt Veriut dhe Lindjes, duke mbuluar më shumë se 350 hektarë. Që këndej i vinin qytetit të lashtë ethet vdekjeprurëse, mushkonjat dhe një afsh mbytës. Përpjekja e parë për të shpëtuar qytetin nga bataku ethendjellës u bë andej nga vitet ‘20-të, kur një shoqëri italiane nuk arriti të bonifikojë fushën. Vetëm nga fundi i viteve ‘60-të balta e pamasë nisi të kthehej në një tokë të tharë. "E tharë" është fjalë e madhe, sepse që të largohej uji nga një territor, që është nën nivelin e detit, duhej bërë punë kolosale. Megjithatë, Këneta e tharë iu la në dispozicion fermës së Spitallës, e cila e përdorte për të mbjellë lakra për bagëtitë. Vetëm këto bimë mund të mbijetonin në tokën që ende nuk ishte shkripëzuar plotësisht. Vite më vonë u vendosën këtu disa liqene artificiale në të cilat rritej peshk i kultivuar. Më shumë se kaq, njerëzit e asaj kohe nuk mund t‘i bënin Kënetës.
Pastaj erdhi 1990 dhe liria e lëvizjes. Nga zonat e tyre malore shumë vetë kishin ëndërruar një copë tokë diku në fushë, diku ku të shpëtonin nga varfëria, i ftohti, horizonti i ngushtuar. Pak nga pak kasollet e të zrdhyuruev nisën të kthehen në shtëpia derisa tani në krejt zonën banojnë afër 30 mijë banorë. Zyrtarisht, 9329 ndërtime pa leje presin të legalizohen. Sidomos, në Tiranë, është krijuar ideja e gabuar se të ardhurit e këtyre 17 vjetëve të fundit janë veriorë. Këneta e Durrësit është një rast krejt tjetër. Shumë nga të ardhurit e ngulitur këtu janë nga zona të Jugut. Me sa duket kjo shpërngulje gjigante e popullsisë nuk është punë Veriu dhe Jugu, është thjesht punë mali dhe fushe. Një takim me banorët e këtushëm do të na i sqarojë edhe më mirë gjërat.
Takim në anë të baltës
Balta është fjala më e përdorshme në këto ditë dimri mes njerëzve të Kënetës. "Na mbyti balta, fshiji këpucët se i ke me baltë, bjeri andej se këtu ka baltë, qenke bërë tërë baltë, po kjo m… balte kështu:, e kështu me radhë. Në Shqipërinë që pret të shtohen reshjet për punë të dritave, të paktën kështu rreken të na e mbushin mendjen, njerëzit mbase janë të vetmit që e shohin shiun me inat të dukshëm. E shohin kështu, sepse sapo bien reshjet e para ajo Këneta që është ende e fshehur nën dhe, nis e nxjerr krye duke sajuar pellgje të mëdha, duke përmbytur rrugë e shtëpi përdhese dhe duke i bërë thuajse të pakalueshme rrugët që vetë banorët mundohen t‘i mbajnë duke i mbushur hera-herës me copa tullash dhe me mbeturina të tjera ndërtimi.
Nuk është ndonjë peizazh i gëzuar, por edhe të trishtë nuk mund ta quash. Ka edhe njerëz të varfër apo shtëpi të mjeruara, por shumica e shtëpive janë disa goxha vila që mund të rrinin fare mirë edhe në lagjet më të mira të ndonjë qyteti të madh. Në 17 vjet, këta njerëz kanë bërë një kapërcim kolosal, po të kemi parasysh vendet nga kanë ardhur. Vetëm balta që nuk na ndahet, dhe një lloj sensi çorganizimi e nxitimi, vetëm këto na bëjnë që të ndihemi ndryshe nga lagjet tona.
Ndërsa jemi duke fshirë baltën, që na e rëndon të ecurën, na afrohet një plak i imët me një palë mustaqe të shkurtra që janë bërë krejt të bardha. "Urdhnoni e pini nga nji kafe", na fton plaku i urtë. E dallojmë menjëherë se është diku nga Veriu. Plaku quhet Sabri Dishani. Eshtë 77 vjeç dhe është nga një fshat fare afër Burrelit. "Mixha" Sabri, sikurse nisim ta thërrasim edhe ne, është në prag të të 80-tave. Është ndër të parët që ka ardhur këtu, në 1993, në kohën kur Këneta s‘ishte gjë tjetër veçse një fushë e madhe e braktisur. Ka tetë fëmijë. Këtu jeton vetëm, me plakën, me nusen e djalit dhe me nipërit. Të tjerët, janë larg, vajzat të martuara ndër fshatrat e krahinës së tij, ndërsa djemtë në emigracion. "Mixha" nis të na tregojë historinë e familjes së tij. "Familja jonë në kohë të luftës - nis të flasë ai ngadalë - ishte në gjendje të mirë. Të mirë për ato kohë ma. Po kishim toka e bagëti dhe bënim një jetë ma të mirë se të tjerët. Ishim familje e madhe, në një kulm bëheshim 35 vetë. Nji mixha jem kishte pasë qenë xhandar në kohë të Zogut. Nga zona jonë ka pasë shumë të tillë. Mirëpo për këtë punë e pësoi. Komunistat e internuan në Grabjan të Lushnjes, ndërsa gjithë ne të tjerët na quajtën kulakë. Asnjëherë nuk ma kanë dhënë teserën e Frontit. E kështu që bashkë me gruan kemi bërë një jetë të vshtirë. Fëmijët më mbetën pa shkollë dhe shumë herë kemi vuajtur për bukën e gojs. Kështu që kur ndodhën ndryshimet pamë poshtë, këndej nga fusha. Dhe kshtu kemi ardhur këtu. Në fillim me kasolle e tashti kemi bërë shtëpi me paratë që na dërgojnë djemtë".
"Po, përse në Durrës dhe jo në Tiranë, apo në ndonjë qytet tjetër?", na takon ta bëjmë këtë pyetje. "Mixha" Sabri u shkel syrin vendasve që janë rreth e rrotull nesh, njësoj sikur ta priste këtë pyetje dhe pastaj vazhdon: "E patëm mendu mirë këtë punë bashkë me djemt. Mu baba më ka vdekë në 1988-tën, ishte 102 vjeç. Kur po u ndërtonte Uzina e Ferrokromit, na mblidhte dhena thoshte: Po vejeni more djem ndonji shenjë te tokat tona. Ka me ardhë koha dhe keni me i marrë. Ne, në atë kohë, e merrnim lehtë këtë punë. Porse ja se si erdhën kohët. Me pak fjalë, kjo puna e pronës për ne ka qenë edhe asht nji gja e shenjtë, fort e shenjtë. Kështu që edhe ne kur vendosëm me ra poshtë nuk kishim se si t‘i hynim në pjesë kujt. Kështu që zgjidhëm Kënetën. Kjo është e të gjithëve dhe e askujt. Nuk do kishim punë me njeri. Kështu e menduam e them se nuk kemi ba keq". Në sfondin e përbaltur plaku, me qëndrimin dhe veshjen tipike malësore, neve na duket ca si i largët, si i ardhur nga një vend që vazhdon ta presë. "Mixha" sikur na e kupton mendimin. "Mu ktu m‘u duk tmerr n‘fillim. Isha msu atje lart me ujë e ajër të pastër. Pastaj atje kam lanë tre vllazën dhe për atë vendin tim më digjet shpirti. Po, nuk kam ç‘ka me ba. Kshtu erdh puna. Jetesën, të paktën e kena ma të mirë. Nuk thonë kot, afër detit afër mretit".
"Tani jam durrsak"
E kemi bërë edhe një mik tjetër. Ramazan Kalaveri është një mësues në pension. 28 vjet me radhë ka punuar nëpër shkollat e fshatrave. Me të bëhemi miq shumë shpejt. Eshtë nga Macukulli, vend ku na e ka dashur puna të rrimë disa ditë, dhe është mësues histori-gjeografie, njësoj si njëri prej nesh. Këto dy arsye janë të mjaftueshme që mësuesi i vjetër ta kalojë shpejt atë hendekun që krijohet nganjëherë mes nesh dhe të intervistuarve. Ramazani ka tre fëmijë. Shtëpia e tij është nga më të mirat në krejt Kënetën. Djali i martuar, me të cilin jeton është mjek në Shijak. Ramazani na e tregon me krenari shtëpinë e tij, ndërsa ne hezitojmë të futemi brenda duke parë nga këpucët tona të rënduara nga balta e kuqe e Kënetës. "Ja kjo është shtëpia ime, kjo është e njërës vajzë dhe kjo e vajzës tjetër - bën me dorë duke treguar tri vila njëra-pas tjetrës - kur kemi ardhur këtu në 1994 nuk kishte asnjë gjë, madje nuk kishte as zogj. Mbaj mend përshtypjen e parë që më bëri ky vend. Ishte një fushë e madhe, gati pa kufi dhe e gjelbër, krejt e gjelbër. Për ne, njerëzit e malit, kjo është një gjë e madhe. Dhëndri im, më pas, ndërtoi një barrake që e patëm si strehë të parë, dhe më pas jemi shpërngulur pak nga pak". Mësuesi nis të numërojë se sa vetë kanë zbritur bashkë me të nga Macukulli malor i Burrelit, vendlindja e tij. Fëmijë, kunetër, dhëndurë, krushq, kushërinj, të gjithë nisin të numërohen një e nga një deri sa më në fund mësuesi dorëzohet: "Nuk i mbaj mend të tërë, janë shumë".
Macukulli nga ka zbritur mësuesi është një fshat i madh e i bukur, me kulla të gurta, gështenja e mana, të vendosur në një pllajë fort interesante. Fshati dallohet për numrin e madh të të shkolluarve që kanë dalë prej tij. "Përse duhej ta linit fshatin se s‘bën? A nuk kishte ndonjë mënyrë për të jetuar edhe atje normalisht?". Pyetja jonë e habit mësuesin. "Po ju keni qenë vetë atje - përgjigjet prerazi - a e keni parë rrugën që të çon atje, po tokë a kishte? Ja përse kemi ardhur. Unë vetë e kam pasur ëndërr që i ri që të zbrisja në qytet. As që e kisha menduar ndonjëherë se do të jetoja në Durrës, por ia kisha vënë syrin Burrelit, ku kisha edhe një vëlla. Tani e ndiej veten shumë mirë. Më është realizuar një ëndërr e vjetër. Në Macukull kanë mbetur vetëm ata më të mbaruarit, ata që nuk kanë pasur mundësinë, por as edhe guximin që të bëjnë atë që ne bëmë në 1994-ën".
Sa herë që dallgët e kohës sjellin të ardhur vendasit e vjetër vihen disi në siklet. I ardhuri është një i panjohur, ai t‘i prish ato raportet me të cilat je mësuar që prej brezash, ai flet një dialekt tjetër, vishet ndryshe, dëgjon një tjetër muzikë, shumë herë ka edhe të tjera zakone e mendësi. Janë pikërisht këto arsye që nxisin nganjëherë jo vetëm një qëndrim të ftohtë, por edhe gati-gati armiqësor mes vendasve të vjetër - gjithsesi dikur të ardhur edhe ata vetë - dhe banorëve të zonave informale. Ka ndodhur kështu jo vetëm sot, ka ndodhur në kohë të ndryshme dhe në vende të ndryshme përgjatë të gjithë historisë sonë. "Në fillim e kemi pasur ca vështirë që durrsakët e vjetër të na pranojnë si të barabartë - shpjegon mësuesi - porse unë mendoj se këto mendime tani ekzistojnë vetëm te ndonjëri që ka mbetur pas kohës. Të tjerët e kanë kuptuar tashmë se ne kemi motivin dhe zgjuarsinë për të qenë të vlefshëm për Durrësin, banorët e kësaj zone janë bërë fuqia punëtore numër një e qytetit, që vazhdon të rritet, po kështu në mesin tonë ka shumë njerëz të arsimuar dhe me nivel. Pastaj edhe koha bën të vetën. Shumë fëmijë ka lindur këtu, të tjerë janë rritur këtu dhe diferenca sa vjen e pakësohet. Unë vetë tashmë e ndiej veten më shumë durrsak sesa nga Macukulli. E ndiej veten mirë këtu ku jam".
Grupit tonë i është bashkuar edhe Besnik Reçi, murator, dhëndëri i mësuesit. Pikërisht ai që 13 vjet më parë ndërtoi ndër të parat baraka. Ka bërë jetë të vështirë në fillim, por nuk ankohet. Besniku është nga Burgajeti, fshati i njohur, vendlindja e Ahmet Zogut. "M‘u duk bukur këtu, qoftë edhe në barakë", na thotë ndërsa ne presim ndonjë rrëfim ngjethës për jetën e një çifti të ri dhe të një foshnje shtatëmuajshe në një barakë që e rreh shiu dhe era.
Besnikut i qeshin sytë kur një prej nesh i drejtohet: "Po kjo shtëpia jote qenka si në Zvicër more Besnik!". "Me punë bëhen gjërat. Kam punuar shumë në punë të rënda, kam shtrënguar rripin dhe tani kam se ku t‘i pres miqtë e të çoj një jetë të qetë me familjen time. Një djalë i vogël del nga dera e shtëpisë së porsambaruar. Djali i muratorit vrapon për në shkollë. Emri i saj është "Jeta e Re", njësoj si ajo që njerëzit e maleve kanë nisur në Kënetën e Durrësit.
"Jo si në Bathoren tuaj…"
"Ja e shikoni neve kemi edhe parukeri. Ja ky lokali këtu shërben edhe për dasma, kanë edhe kamera. Pa shikojini rrugët. Mund të jenë me baltë, por na ka dhënë shumë dorë se këtu parcelat kanë qenë të ndara me kuadrate dhe kështu është shmangur rrëmuja në ndërtim, jo si në Bathoren tuaj". Mësues Ramazanit i pëlqen ta veçojë "qytetin" e tij nga ajo që ne mund të kemi parë në Bathore, të cilën, kush e di sepse, e quan thjesht "tonën". Mbase ngaqë do heqë pak nam të keq që kanë marrë në shtyp zonat informale anekënd vendit.
Bashkë me të njohurit tanë bëjmë një shëtitje nëpër kuadratet tashmë të mbushura të Kënetës. Është vërtet ashtu sikurse thotë mësuesi. Rrugët janë tmerrësisht të përbaltura, të mbushura me lloj-lloj hedhurinash, porse shtëpitë janë ndërtuar me një lloj rregulli. Brenda parregullsisë së përgjithshme kjo gjë nuk është pak. "E mo, miri ini o! - një devollitçe e thekur na përshëndet që nga avllia e një goxha shtëpie - po ejani mo ca brenda se mardhët në baltë!". Devolliu se ç‘po bën me ca tela. Dritat janë një tjetër telash i këtyre anëve. Dhe njerëzit janë mësuar që t‘i bëjnë ca punë vetë. Kjo gjë është me rrezik, madje ndonjë edhe ka lënë jetën. Por këmbëngulja e banorëve të Kënetës nuk para e njeh frikën. Ca më tej një i moshuar ka hipur mbi shtyllën e elektrikut. Se ç‘bën me ca tela që i varen frikshëm nëpër këmbë. Ne arrijmë të dallojmë vetëm kasketën e tij tipike si ato që mbajnë fshatarët e Skraparit apo të disa zonave të tjera të Jugut.
"Po koha e lirë?", është një tjetër pyetja që na shkon ndërmend. "Po si kudo pak a shumë - na thotë mësuesi - klubi në qendër, bilardoja. Ndonjë vizitë te miqtë. Por ajo që mund t‘ju bëjë më shumë përshtypje është një lloj solidariteti që kemi, sidomos në raste vdekjesh. Në ceremoninë më të fundit mortore, ku kam qenë, kishte mbi 460 veta, të cilëve iu desh ta hanin drekën e rastit në dy-tre turne". Ndërsa ne bisedojmë në mes të baltës na afrohet një plakë që vazhdon të thurë një palë çorape sipas mënyrës së vjetër. Portreti, e ecura, mënyra se si thur, dy gërsheta të thinjur që dalin nga shamia e saj e zezë… Na duket vetja sikur jemi në ndonjë fshat të Veriut dhe jo fare afër kryeqytetit. Nuk jemi gabuar. Hikja, kështu quhet plaka, është nga zona e Zerqanit, mes Peshkopisë e Bulqizës. Portreti i saj në sfond të një ngrehine të betontë të pambaruar na duket si një ikonë, simbol i këtyre kohërave.
Takim me varfërinë
"Po ç‘a fshati të shkoj unë!? Unë mezi e mbaj mend…". Në barakën e saj Shpresa Reçi, 23 vjeç, skuqet sikur të ketë bërë ndonjë faj, kur e pyesim nëse ka shkuar apo jo në fshatin e saj të lindjes. Në fakt, Shpresa nuk ka faj. Ka qenë vetëm gjashtë vjeç kur prindërit e saj u vendosën në Rrogozhinë. Shpresa është e papunë. Madje as që e shkon ndonjëherë ndërmend se mund të punojë. Sa për ëndrra? "E ku kemi pasë ne mundësi të kemi ëndrra", përgjigjet me atë të skuqurën e parë ende mbi portretin e saj. Shpresa e ka një vajzë dhe pret të lindë fëmijën e dytë. Burri është papunë. Del përditë te "plateia", sikurse i thonë në Durrës atij vendit homolog të "Partizanit të Panjohur" në Tiranë, dhe, në të shumtën e herëve, kthehet duarbosh. Vetëm një dhomë afër tre me katër metra është streha e çiftit. Dy divane, një ngrohëse nga ato të vjetrat, një televizor që nuk punon, këtë sheh përditë Shpresa që lindi në mal, por u rrit në fushë. Vetëm një nuse-kukull e gëzon këtë ambient të trishtë. Është dhurata që Shpresa ka marrë nga nëna me rastin e festave të fundvitit.
Ecim edhe ca minuta të tjera përmes rrugëve të Kënetës. "Ja ku mbëritëm", na thonë shoqëruesit tanë. Në fillim nuk u besojmë syve. Na kishin thënë se do të shkonim në një shtëpi të varfër, por ende nuk e po e shikonim shtëpinë. Para nesh ishte një barakë e nxirosur, e ndërtuar me disa dërrasa të paputhitura, e rrethuar nga balat. Vetëm disa gjela deti, krenarë, sikur ta ndiejnë që tani, në fund të vitit u rritet vlera, ecin të ngrefosur përballë nesh. Pastaj baltë, baltë, baltë, derisa nga baraka dalin në skenë dy fëmijë kuriozë. Me ta do të miqësohemi shumë shpejt. Ata janë Landi, që thotë se shkon në klasë të dytë, dhe Albani, vetëm dy vjeç. Vetëm pak metra pas barakës, ndodhet shtëpia e tyre. E ëma, që në fillim na merr për ndonjë nga ata që ndajnë ndihma, na shpjegon se kjo ngrehinë - sikur nuk na vjen ta quajmë shtëpi atë ndërtesë që ka nisur të marrë ngjyrën e baltës - është ndërtuar nga një fondacion bamirës. Gjashtë vetë jetojnë në këtë strofull vetëm nga ndihmat që u japin të tjerët. Nuk vonon shumë dhe kthehet në shtëpi edhe babai. Duket si i përhumbur në hallin e tij dhe përgjigjja e tij më e shpeshtë për pyetjet tona është vetëm ngritja e supeve. Familja e varfër ka zbritur në Kënetë nga një fshat i thellë në kufi mes Elbasanit dhe Gramshit. "Nuk kishim asgjë, asgjë, as rrugë, as shkollë, as ambulancë…, Asgjë". Fjalën "asgjë" babai i ngratë di ta thotë më mirë se gjithë të tjerat. Landi na përcjell deri në fund të oborrit të përbaltur para kasolles me gjela deti. "Unë do të bëhem si ata që ngasin avionët", na thotë duke buzëqeshur si i zënë në faj.