Lesi: LDK-ja lindi nga tradhtia e Ndokës
Lëvizjet e reja brenda Kuvendit të Shqipërisë kanë treguar se politika ka nisur përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Në një kohë kur zgjedhjet e ardhshme konsiderohen më shumë afër sesa larg, po vjen duke u rritur numri i çeljes së partive të reja. Zgjedhjet e 3 korrikut të vitit 2005 prodhuan 12 parti parlamentare brenda Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që zgjedhjet e ardhshme, përveç shtimit të numrit të partive, do të kenë edhe një rivalitet për betejën se cila do të jetë forca e tretë politike. Gjatë katër muajve të fundit, Kuvendit i janë shtuar në mënyrë zyrtare edhe dy parti të reja, ajo Kristiandemokrate e drejtuar nga Pashk Ujka dhe Lëvizja Demokristiane e kryesuar nga Nikoll Lesi. Lëvizjet brenda Kuvendit pritet të intensifikohen edhe më tej në të dyja krahët e politikës, si të majtë ashtu edhe të djathtë. Kryetari i Partisë Lëvizja Demokristiane, Nikoll Lesi, ka treguar mënyrën sesi lindi partia që ai drejton. Deputeti Lesi u shpreh se "LDK-ja është krijuar nisur nga tradhtia dhe konvertimi që i bëri PDK-së, kryetari i saj, Nard Ndoka, sapo u bë ministër. Prandaj, për të mos lënë në baltë 54 mijë votuesit e 3 korrikut 2005 u krijua LDK-ja". Duke ndaluar te risia dhe qëllimi i krijimit të partisë që ai drejton, Nikoll Lesi ka bërë me dije se "e veçanta e LDK-së është se do të jetë një parti e njerëzve, të cilët kanë kurajë për t‘i thënë gjërat hapur, pavarësisht kujt i mbetet hatri, PD-së apo PS-së". Lesi ka pohuar faktin se LDK-ja është partia e 14-të parlamentare aktualisht në Kuvend.